Historia në flakë. Shkrumbohet katedralja 850-vjeçare e ‘Notre Dame’ në Paris. Zjarri i madh dhe i fuqishëm përfshiu pasditen e sotme katedralen duke e djegur brenda pak orëve. Në fillim reth orës 18:50, shtëllunga tymi dilnin nga kulmet e katedrales ndërsa brenda pak minutash zjarri filloi të përhapej në të gjithë katedralen e ‘Notre Dame’ dhe brenda pak orëve u shkrumbua nga flakët.

Sipas mediave dyshohet se zjarri ka qenë aksidental dhe ka rënë në pjesën e papafingos së ‘Notre Dame’, pjesë e cila po restaurohej. Zjarrfikëset vijojnë luftën me flakët, por katedralja u përpi. ‘Notre Dame’ është objekti simbol jo vetëm i Parisit, por gjithë Francës, ndërsa vizitohet nga rreth 13 milionë turistë cdo vit, atraksioni më i populluar. Nga zjarri nuk ka asnjë të lënduar, pasi njerëzit janë evakuuar me shpejtësi pas alarmit.

Ndërkohë kjo ngjarje e rëndë ka tërhequr vëmendjen e të gjithë botës duke sjellë reagime të shumta. I pari që reagoi ishte presidenti amerikan Donald Trump, ndërsa presidenti francez u shpreh se ngjarja po trajtohet si emergjencë kombëtare. Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe Presidenti shqiptar Meta dhe kryeministri Rama me anë të një statusi në Facebook. Rama ka shprehur pikëllimin e tij me një emoj (me lot në sy) ku e shoqëron me një foto ku shihet ‘Notre Dame’ teksa digjet.

Mediat franceze raportojnë se flakët janë vendosur nën kontroll nga 400 zjarrfikësit, ndërsa dy kulla të katedrales janë shpëtuar. Ndërkohë që presidenti francez Emmanuel Macron në një tjetër reagim për mediat u shpreh se katedralja do të rindërtohet. ‘Kjo është historia jonë. Ajo që ndodhi këtë mbrëmje është padyshim një dramë. Më e keqja është shmangur, kjo është një tragjedi e tmerrshme. Por ne do të rindërtojmë Notre-Dame’.

Artikulli paraprakRUÇI MESAZH MINISTRAVE: DO T’JU DALË EMRI NË TABELËN E ZEZË
Artikulli tjetërZAEV: NUK U KAM ASNJË BORXH SHQIPTARËVE, JAM POLITIKANI MË POPULLOR