Tirana, ALBANIA: Turkey's Nihad Kaveci (R) fights for the ball with Altin Lala of Albania (C) during their World Cup European zone Group Two qualifying soccer match at Qemal Stafa stadium in Tirana, 12 October 2005. AFP PHOTO GENT SHKULLAKU (Photo credit should read GENT SHKULLAKU/AFP/Getty Images)

Sonte në mbrëmje do të luhet ndeshja e parë eliminatore për kampionatin Europian dhe Shqipëria do të kërkojë ta nisë mbarë rrugëtimin e saj kundër Turqisë. Një duel që nuk është i panjohur dhe ka prodhuar ndeshje plot emocion në të shkuarën.

* Ajo e së premtes do të jetë ndeshja e 11-të që do të luhet mes Shqipërisë dhe Turqisë. Deri tani, dy kombëtaret janë përballur 10 herë në të gjitha kompeticionet (përfshirë edhe miqësoret) dhe bilanci është i barabartë: 4 fitore Shqipëria, 4 fitore Turqia dhe 2 ndeshje barazim.

* Interesant është fakti që golavarazhi që kanë prodhuar 10 sfidat e mëparshme është 14/10 në favor të kuqezinjve. Kombëtarja ka shënuar 14 gola ndaj Turqisë dhe ka pësuar 10. Rezultatet më të thella kanë qenë 3-0 për Shqipërinë dhe 1- 4 po në favor të Shqipërisë.

* Golashënuesi më i mirë shqiptar në sfidat kundër Turqisë është Alban Bushi, i cili ka arritur të gjejë rrjetën 3 herë. Raklli, Sadiku dhe Përnaska kanë shënuar nga 2 herë dhe të tjerët nga një.

* Shenjol Gynesh do të debutojë në krye të stolit të Turqisë në “Loro Boriçi”. Trajneri i njohur turk u rikthye sërish në kombëtare, teksa më parë e ka drejtuar këtë skuadër në vitet 2000-2004. Ai qëndroi në krye të pankinës në 50 ndeshje në atë kohë kur ka marrë 23 fitore, 13 barazime dhe 14 humbje. Kulmin e arriti në Botërorin e vitit 2002 duke e çuar Turqinë në vendin e tretë të kompeticionit më të rëndësishëm.

* Ndaj Shqipërisë, trajneri Gynesh nuk ka kujtime të mira. Ai ka luajtur 1 herë përballë ekipit kuqezi dhe ka humbur miqësoren 0-2. Në atë kohë Kombëtarja drejtohej nga i ndjeri Medin Zhega dhe golat u shënuan nga Alban Bushi dhe Ervin Skela.

* Kristian Panuçi do të drejtojë Shqipërinë për herë të 15- të, Shqipërinë kundër Turqisë. Deri tani bilanci është 4 fitore, 2 barazime dhe 8 humbje. Për t’u theksuar fakti që e ka mundur Turqinë në një miqësore me rezultatin 2-3.

* Emre Belezoglu është “gjyshi” i dy skuadrave. Mesfushori i njohur turk që ka mbajtur veshur edhe ngjyrat e Interit vite më parë, është rikthyer në kombëtare. Tashmë është 38- vjeç dhe kërkon të ndihmojë ekipin me eksperiencën e tij. Nuk është hera e parë që do të luajë kundër Shqipërisë. Ka luajtur 3 herë deri tani dhe ka 2 fitore dhe 1 humbje.

* Futbollistët e grumbulluar nga Panuçi për dy ndeshjet eliminatore ndaj Turqisë dhe Andorrës kanë shënuar 26 gola për Kombëtaren. I pari në listë është Armando Sadiku me 11 dhe pas tij renditet Balaj me 5 gola. Në total, 9 lojtarë kanë shënuar me fanellën kuqezi.

* Nga ana tjetër Turqia paraqitet në Shkodër me 59 gola dhe 10 futbollistë që kanë gjetur rrugën e rrjetës. Burak Jëllmaz është golashënuesi i momentit në kampin turk me 23 gola dhe ndiqet nga Çenk Tosun me 11.

* Eksperienca e futbollistëve me fanellat respektive është në favorin e Shqipërisë. Kjo do të thotë se nga lista e Panuçit vetëm 2 lojtarë janë debutues dhe nuk kanë luajtur asnjë minutë me kuqezinjtë, portieri Selmani dhe mesfushori Lorenc Trashi. Në kombëtaren turke janë 7 lojtarë debutues.

* Kjo do të jetë ndeshja e nëntë që Kombëtarja shqiptare luan në “Loro Boriçi”. Tetë të mëparshmet kanë dhuruar bilancin: 3 fitore, 2 barazime, 3 humbje.

* Në aspektin financiar, kombëtarja e Turqisë vlen 154 milionë euro (e llogaritur nga transfermarkt, ku ka edhe lojtarë që s’janë grumbulluar). Shqipëria vlen afro 70 milionë euro.

* Futbollisti më i shtrenjtë në merkato për të dyja skuadrat është Elseid Hysaj, kartoni i të cilit vlerësohet 23 milionë euro. Në këtë mënyrë, shkodrani thyen Hakan Çalhanoglunë e Milanit, i cili vlen 22 milionë euro.

Artikulli paraprakFUNDOSET TRAGETI, MË SHUMË SE 80 TË VDEKUR NË LUMIN TIGËR
Artikulli tjetërBEBET, TRE HIPOTEZAT E REJA PËR ECURINË E LINDJEVE DERI ME 2031