Kryeministri Edi Rama duket se i kishte lënë të gjitha për ti thënë në Pejë në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive shqiptare.

Qartazi dhe prerazi, Rama tha se Shqipëria do të jetë përkrah Kosovës përballë Serbisë dhe brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm nuk do ketë më Roming mes nesh.

Rama: Meqë ata nuk duan që ne të jemi pjesë e marrëveshjes së tyre të Romingut, ne bëjmë marrëveshjen tonë të Romingut. Brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm, Shqipëria dhe Kosova kanë marrëveshjen e tyre dhe nuk ka më Roming mes nesh.

Tarifa e Romingut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e përdorin në një vend tjetër nga një qendër e operatorit të telefonisë mobile. Këto tarifa janë kryesisht dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikim brenda një shteti.

Kryeministri njoftoi edhe marrëveshjen për njohjen e ndërsjelltë të patentave.

Rama: Ne nuk jemi shqiptarët dhe serbët, ne jemi shqiptarët dhe shqiptarët. Marrëveshja për njohjen e ndërsjelltë të patentave. Patentat mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë patentat mes Shqipërisë dhe Greqisë që na janë dashur gati 30 vjet negociata për të arritur në njohje reciproke.

Patentat mes Kosovës dhe Shqipërisë janë patentat mes shqiptarëve dhe shqiptarëve.E tillë është gjithë lista e dokumentave.

Një tjetër çështje në favor të lehtësimit të bashkëpunimit dhe heqjes së barriera të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave ishte pika e unifikuar doganore në Morinë.

Rama: Pika e unifikuar kufitare e Morinës dhe lehtësimi total i qarkullimit të njerëzve dhe mallrave është hapi që do të hedhim. Unifikimi i të gjithë të dhënave të sistemit tonë të përbashkët është detyra që duhet ta kryejnë të dy Ministritë e Brendshme.

Të dhënat për të gjithë personat që hyjnë dhe dalin duhet të jenë të dhëna në perimetrin e jashtëm të Kosovës dhe Shqipërisë, brenda perimetrit duhet të funksionojmë si një kufi pa kufi. Shëndet!

Të gjitha ata që këtë mund ta konsiderojnë tentativë për Shqipërinë e madhe, Rama u shpreh:

Rama: Jemi të gatshëm ti presim të gjithë ata që janë të shqetësuar, t’ua shpjegojmë si është kjo punë. Do jetë mesazh domethënës për të gjithë partnerët, për Serbinë në radhë të parë.

Por shefi i qeverisë shqiptare la të hapur rrugën për bashkëpunim me Serbinë, në momentin që ajo do të zgjedhë të ulet në diskutime me një fytyrë me shqiptarët.

Rama: Marrëdhënia jonë me Serbinë është strategjike në afatgjatë. Por nëse Serbia e shikon këtë si shprehje të një nevoje të njëanshme gabon. Kjo është një nevojë e dyanshme dhe për këtë nevojë të dyanshme

Serbia duhet të ulet në tavolinë me një fytyrë dhe jo me tre fytyra, një për Kosovën, një për Shqipërinë dhe një tjetër për komunitetin ndërkombëtar. Të zgjedhë cilën fytyrë do të përdorë në marrëdhëniet me shqiptarët. Ne jemi të gatshëm ti rrimë përballë me të njëjtën fytyrë që do të zgjedhë Serbia.