Gianni De Biasi, trajneri i Shqipërisë, në ndeshjen ndaj Zvicrës pritet të luajë me sistemin 4-5-1.

Shumë teste, me lojtarë dhe rreshtime të ndryshme në fushë, megjithatë në fund Gianni De Biasi i kthehet skemës që i dhuroi Shqipërisë pjesëmarrjen në Kampionatin Europian. Në debutimin përballë Zvicrës, të shtunën në Lens, trajneri kuqezi pritet ta rreshtojë skuadrën me skemën 4-5-1, me një mesfushë solide, që do ti lejojë pak hapësira kundërshtarëve. Përpara portierit Etrit Berisha, në qendër të mbrojtjes do të jenë dyshja e përbërë nga Lorik Cana dhe Mërgim Mavraj, Elseid Hysaj do të jetë në krahun e djathtë, ndërsa Ansi Agolli majtas. Në mesfushë, Burim Kukeli është plotësisht gati për të luajtur përpara mbrojtjes, në rolin e organizatorit të parë, për të shpërndarë topin dhe të diktojë ritmin e lojës. Përpara Kuketi janë Amir Abrashi dhe Taulant Xhaka, dy motorët e mesfushës, që do të mbajnë edhe peshën më të madhe gjatë sfidës me Zvicrën, jo vetëm në fazën difensive, por edhe në daljet e shpejta. Odise Roshi nga e djathta dhe Ermir Lenjani nga e majta do të kenë detyrën e zakonshme që të nisin kundërsulmet e Shqipërisë, në mbështetje të Armando Sadikut, që duket se e ka fituar balotazhin në sulm me Cikalleshin dhe Balajn. Kjo është taktika e provuar nga De Biasi në stërvitje, me kuqezinjtë që pritet të luajë njësoj si në miqësoren e fundit kundër Ukrainës, me ndryshimin se në qendër të mesfushës kthehet Kukeli, ndërsa Ergys Kaçe kthehet në stol. Stafi teknik i Kombëtares është përqendruar gjithashtu edhe te goditjet standarde, si në fazën sulmuese, ashtu edhe në fazën mbrojtëse, për të marrë masat që skuadra të mos kapet më në befasi, ashtu si ka ndodhur në miqësoret e fundit.

Artikulli paraprakJA ÇFARË BËJNË FANSAT PËR SHKËLZEN GASHIN
Artikulli tjetërSHTËPITË KARAKTERISTIKE NË SHKODËR RREZIKOJNË SHEMBJEN