Qeveria shqiptare dhe ajo e Britanisë së Madhe kanë nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi, që synon përmirësimin e drejtësisë penale, duke hetuar dhe parandaluar veprimtaritë antiligjore në territoret përkatëse, përmes shkëmbimit të informacionit mbi të dhënat kriminale.

Memorandumi u firmos nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj për palën shqiptare, si dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë Norman Duncan për palën britanike.

Marrëveshja e nënshkruar në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, krijon kushtet ndërmjet palëve për shkëmbimin e informacionit të historikut kriminal, lidhur me një dënim apo gjurmët e gishtave, për shtetas të Mbretërisë së Bashkuar dhe shtetas shqiptar.

Kjo do të ndihmojë në cilësinë e drejtësisë penale, duke rritur informacionet e shkëmbyera, administruar nga 2 vendet partnere.

Informacion mes agjencive do të shkëmbehet edhe për shtetas nga vendet e treta, duke zvogëluar në këtë mënyrë kërcënimet e sigurisë së brendshme dhe sigurisë publike.

Pas marrëveshjes, ambasadori britanik Duncan Norman u shpreh:

Jam shumë i lumtur që sot nënshkruam memorandumin e mirëkuptimit për shkëmbimin e informacionit për rekordet kriminale me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme.

Shkëmbimi i informacionit është një pjesë shumë e rëndësishme në punën tonë për luftën kundër krimit të organizuar.

Ky Memorandum mirëkuptimi që nënshkruam sot, është një demonstrim se sa pranë janë të dy vendet tona tani, në përpjekjet e përbashkëta për luftuar këtë problem që na prek të gjithëve.

Ky është një shembull shumë i mirë për hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrim për të qenë edhe më shumë efektiv për të luftuar krimin e organizuar, këtu në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Artikulli paraprak‘TEATRI’/PD BOJKOTON KOMISIONET E KUVENDIT, BASHA: ME RAMËN PËRBALLEMI NË SEANCË
Artikulli tjetërRAMA MBLEDH DREJTORËT: GJIROKASTRA, ‘REKORD’ PËR PUNËSIMET, 4500 PERSONA GJETËN PUNË