Shqipëria bie në minutën e fundit. Në një stadium të veshur kuqezi në Elbasan Arena Portugalia largohet duke festuar me golin e realizuar në minutën e 2-të shtesë. Një sfidë që u luajt me dy tablo dhe ku ekipi shqiptar kishte shpresa të mëdha për të mos u ndëshkuar me humbje. Miqtë e dirigjuar nga Kristiano Ronaldo në pjesën e parë luajnë shumë më mirë ndërsa kuqezinjtë e De Biazit përqendrohen në lojën mbrojtëse.

Momenti më i mirë për portugezët është minuta e 13-të kur Ronaldo fare pranë portës godet shtyllën e Berishës duke qenë i pafat. Shqipëria arrin që ta mbyllë pjesën e parë pa pësuar gol ndaj një Portugalia që zbriti në fushën e lojës me 5 mungesa. Pjesa e dytë është një histori tjetër. Kuqezinjtë janë të papërmbajtshëm dhe zhvendosin Portugalinë totalisht në lojën mbrojtëse. Luzitanët provojnë vetëm me kundërsulme por duket se Ronaldo dhe Nani nuk ishin në ditën e tyre më të mirë. Djemtë e De Biazit marrin zemër dhe fitojmë besimin. Loja e Shqipërisë është e shpejtë dhe e rrezikshme. Disa herë tentohet porta portugeze por mungon finalizimi me shënimin e golit. Pas disa mundësive të Xhakës dhe Cikalleshit, ky i fundit në minutën e 75 për pak sa nuk çon peshë zemrat e shqiptarëve. Goditja spektakolare e tij fatkeqësisht ndalet nga traversa. Pas vetëm 5 minutash portugezët mund të kalonin në avantazh. Eliseu është i vetëm përballë portës së Berishës dhe provon me një parabol por topi i tij kalon ngjitur me shtyllën pingule. Kur kuqezinjtë ishin gati për të festuar, është Portugalia që i gëzohet fitores. Në minutën e 2 shtesë mbrojtësi Migel Veloso merr një top nga këndi dhe në qendër të mbrojtjes, i pambuluar godet me kokë duke shënuar golin e fitores. Mbase mund të jetë fati apo një dobësi historike e kombëtares e cila ndëshkohet në çastet e fundit. Sidoqoftë humbja me Portugalinë nuk ka zbehur shanset për kualifikim në kampionatin europian.

Artikulli paraprakKa përfunduar me rezultaton 0-1, ndeshja mes Shqipërisë dhe Portugalisë në “Elbasan Arena”.
Artikulli tjetërKRYEMINISTRI RAMA TAKOHET ME BASHKIAKËT