Shqipëria kërkon një vend në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara si anëtar jo i përhershëm.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ndodhet në Nju Jork për hapjen e sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-ës.

Bushati: Shqipëria vjen me ambicien e saj në këto punime, pasi po kërkon një vend jo-permanent për në Këshillin e Sigurimit për periudhën 2022-2023 dhe fushata jonë e komunikimit me partnerë e vende të cilat e njohin Shqipërinë apo që dinë pak rreth Shqipërisë sapo ka filluar, me qëllim që të përmbushim këtë objektiv të politikës tonë të jashtme.

Këshilli përbëhet nga 15 anëtarë, nga të cilët 5 janë të përhershëm (Franca, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia) ndërsa 10 të tjerë zgjidhen me një mandat dy vjeçar (5 vende çdo vit).

Gjithashtu, Bushati tha se Shqipëria mbështet reformën e OKB të prezantuar nga Antonio Guterres.

Bushati: Shqipëria mbështet gjithashtu reformën e OKB-së e cila synon dhe pritet që ta fokusojë organizatën drejt nevojave që kanë vende të caktuara duke e bërë më pak burokratike dhe duke iu përgjigjur sfidave të një bote e cila duket se e ka të vështirë për të gjetur ekuilibrin e saj.

Gjatë ditës së parë të qëndrimit në Nju Jork, Ministri Bushati zhvilloi disa takime bilaterale. Kështu ai u takua me homologun e tij turk, Mevlüt Çavuşoğlu, me të cilin u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe politike, ekonomike dhe tregtare, mundësitë e mëtejshme të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.