KOMISIONI PARLAMENTAR MIRATOI NË PARIM NDARJEN TERRITORIALE.

 

 
Komisioni Parlamentar për Reformën Territoriale miratoi në parim variantin përfundimtar të ndarjes së re administrative-territoriale. “Janë shtuar 14 njësi të reja nga varianti me 47. Harta e Shqipërisë ka kaluar në 61 bashki, të cilat janë pjesë e një prej 5 hartave që ne kemi propozuar”, tha Bledi Çuçi, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor .
Shtimi i këtyre njësive të reja vendore është bërë pas propozimeve dhe sugjerimeve të të zgjedhurve lokalë, këshilltarëve lokalë dhe Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet .

Duke rikonfirmuar se mazhoranca është e hapur për ndryshime deri me 31 korrik dhe se ligji për decentralizimin, do të miratohet deri në fund të vitit, kryetari socialist i komisionit, Bashkim Fino beson se opozita nuk ka qëllim konsensusin .

Miratimi i hartës së re territoriale deri në fund të korrikut do të thotë se vitin e  ardhshëm zgjedhjet do të organizohen sipas kësaj harte, me 61 bashki.Pas kësaj, edhe Partia Demokratike do të duhet të sqarojë pozicionin e saj në lidhje me pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet lokale.