Plakja e popullsisë është një fenomen që po prek të gjitha shtetet. Në pjesën më të madhe të vendeve anëtare të bashkimit Europian ky fenomen ka nisur prej dekadash, ndërsa në Shqipëri është bërë më i dukshëm pas viteve 2000.

Megjithatë, Shqipëria ruan akoma raportin më të ulët të varësisë ndaj të moshuarve në Europë. Në 2018-n varësia ndaj të moshuarve sipas të dhënave të INSTAT dhe përllogaritjeve të Monitor llogaritet rreth 20%. Në vitin 2017 ky raport ishte 1% më i ulët.

Varësia ndaj të moshuarve matet si raport i personave mbi moshën e punës (mbi 65 vjeç), me numrin e personave në moshë për të punuar (nga 15 deri në 64 vjeç), e shprehur si përqindje.

Sipas të dhënave të INSTAT në vjetarin rajonal 2018, qarku i Lezhës mbante rekordin për përqindjen më të lartë të raportit të varësisë ndaj të moshuarve.

Varësia ndaj të moshuarve po rritet me një ritëm të shpejtë. Në fillim të viteve 2000, bazuar në të dhënat e INSTAT norma e varësisë ishte 11.8%.

Ka disa faktorë që po ndikojnë në rritjen e varësisë ndaj të moshuarve në vend. Së pari është rritja e numrit të popullsisë mbi 60 vjeç, ku në 2018-n kishte një peshë prej 19% ndaj numrit total të popullsisë, rreth 2 pikë për qind më shumë se një vit më parë. Në 2001, personat mbi 60 vjeç zinin vetëm 10% të popullsisë.

Së dyti, është ulur numri i lindjeve. Norma e fatalitetit te gratë ra sërish në 2017-n, në 1.4 lindje për grua, më pak se mesatarja e Bashkimit Europian.

Së treti, vendi po përballet sërish me një valë të re emigracioni, e cila po pakëson numrin e popullsisë në moshë pune (nga 15-65 vjeç).

Si është situata në Europë?

Italia kryeson listën e vendeve anëtare të Bashkimit Europian për sa i përket raportit të varësisë nga të moshuarit, me 34.8%. Vendi fqinj po përballet gjithashtu më rënien e lindjeve dhe ka një normë shumë të ulët fertilitetit.

Edhe në Greqi situata është pothuajse e njëjtë, me një përqindje varësie ndaj të moshuarve rreth 33.6%, e pasuar nga Finlanda me 33.2%, Portugalia dhe Gjermania me 32.5% dhe Franca me 30.7% (shiko grafikun më poshtë).

Në Europë vendet me varësinë më të ulët janë Irlanda dhe Islanda me një raport varësie përkatësisht 20.7% dhe 21.2%. Edhe Qipro renditet ndër vendet e BE-së që kanë një % të ulët varësie me rreth 22.8%.

Disa nga pasojat e rritjes së raportit të varësisë ndaj të moshuarve:

1-Më pak të ardhura tatimore
2-Shpenzime më të larta
3-Taksa më të larta
4-Vështirësi në fondet e pensionit
5-Presion për të rritur moshën e pensionit
6-Rritje e pabarazisë
7-Ulje e konkurrueshmërisë e një ekonomie

Varesia Ndaj Te Moshuarve 768x996