Më pak se 1% e shqiptarëve vendosin të angazhohen për të thelluar njohuritë e tyre pas shkollës. Sipas të dhënave të INSTAT, rreth 0.9% e shqiptarëve të moshës 25-64 vjeç mësojnë përgjatë gjithë jetës së tyre. Kjo është norma më e ulët në të gjithë Bashkimin Europian dhe vendet e rajonit, ku Shqipëria ka një diferencë të dukshme, sipas të dhënave të tjera të Eurostat.

Megjithatë, në lëmin e paditurisë, shqiptarët janë shokë klase me rumunët, ku përqindja e personave që mësojnë gjatë gjithë jetës është po aq.

Të mësuarit gjatë jetës është përvetësimi vullnetar dhe i vetëmotivuar i dijeve, qoftë për aspektin personal apo profesional. Prandaj, të mësuarit gjatë jetës nuk rrit vetëm përfshirjen në shoqëri apo qytetarinë aktive, por edhe rrit vetë-qëndrueshmërinë, konkurrencën dhe shanset për punësim.

Ndër vendet e Bashkimit Europian, mesatarisht 11.1% e popullsisë e moshës 25-64 vjeç ishin të angazhuar në të mësuarit gjatë jetës, sipas statistikave të Eurostat.

Përqindjet më të larta janë shënuar në vendet e Europës Perëndimore dhe Veriore. Zvicra ka përqindjen më të lartë, me 31.6% të popullsisë 25-64 vjeç, që mësojnë gjatë gjithë jetës, e ndjekur nga Suedia me 29.2% të kësaj grupmoshe, aktive për të përvetësuar njohuri shtesë gjatë gjithë jetës së tyre. Finlandezët janë të tretët më të dhënë pas të mësuarit, ku rreth 28.5% e grupmoshës 25-64 vjeç mësojnë gjatë gjithë jetës, e ndjekur nga Danimarka me 23.5%, Estonia me 19.7%, Holanda me 19.1%, Franca me 18.6% dhe Austria me 15.1%.

Lindorët mbesin në vend numëro me njohuritë e tyre
Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, popullsia e Europës Lindore mbetet në vend numëro me njohuritë. Përqindja e individëve që vazhdojnë dhe thellojnë njohuritë e tyre edhe pas përfundimit të ciklit shkollor është shumë më e ulët se mesatarja e BE-së. Më të paditurit e Europës pas Shqipërisë, që mban rekordin, janë Rumania, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria me përkatësisht 2.4 dhe 2.5% të popullsisë që vijojnë të marrin njohur përgjatë gjithë jetës.

Ndër vendet kandidate për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian, turqit kanë përqindjen më të lartë të angazhimit në marrjen e njohurive, me 6.2% të popullsisë. Më pas ata ndiqen nga serbët me 4.1%, malazezët me 3.2%.