Menduan se po grabisnin 2 milionë euro në një nga hotelet me luksoze të Milanos, por në të vërtetë shumica prej tyre ishin euro falso e vetëm 65 mijë prej tyre ishin të vërteta.

Ngjarja e verifikuar të shtunën 14 korrik në qytetin e Milanos e ngjashme një film policor ka si protagonistë 4 shtetas shqiptarë që pas një ndjekje prej disa orësh janë arrestuar nga policia italiane me akuzën e grabitjes me armë e armëmbajtjes pa leje.

Ngjarja ka ndodhur në hotelin luksoz Hilton të Milanos, ku 4 shqiptarët të armatosur kanë grabitur një çantë me 2 milionë euro.

Por çanta me para ishte e një shtetase franceze 21 vjeçare me origjinë nga Europa Lindore e cila po organizonte një mashtrim në një meeting room të hotelit Hilton.

21 vjeçarja franceze po realizonte një blerje me dy shtetas indianë e dy të tjerë huaj, duke u dorëzuar 2 milionë euro, por vetëm 65 mijë euro ishin të vërteta të tjerat ishin të gjitha para falso.

Policia italiane është lajmëruar mbi ngjarjen nga klientët e hotelit, pasi kanë parë 4 shqiptarët e armatosur të largoheshin nga hoteli në bordin e një makine tip “Alfa Romeo 147”.

Pas një ndjekje të gjatë nga policia italiane 4 shqiptarët janë arrestuar. Shqiptarëve u është sekuestruar çanta me para me 2 milionë euro, me bankonota prej 200 euro, ku vetëm 65 mijë euro ishin të vërteta.

Gjithashtu 4 shqiptarëve u janë sekuestruar një pistoletë e rezultuar e vjedhur në rajonin e Markes dhe një armë gjysëm automatike.

4 shqiptarët janë vënë nën pranga me akuzën e grabitjes e armëmbajtjes pa leje , ndërsa shtetasja franceze është vënë nën hetim për mashtrim.

Policia italaine ka nisur hetimet për të zbuluar se kush është personi, i cili ka informaur shqiptarët për praninë e një çante me 2 milionë euro në hotel Hilton.