Një 34-vjeçar shqiptar ka zbuluar gjithçka rreth grabitjes në Sitia në Kretë, ku si pasojë e dhunës humbi jetën një grua e moshuar 88 vjeçe.

34-vjeçari shqiptar me banim në Heraklion thotë se ai ishte sugjeruar nga të akuzuarit për të marrë pjesë në këtë grabitje.

Dëshmia e shqiptarit është marrë në ditën e arrestimit, por ishte mbajtur e fshehur nga policia. Shqiptari i kishte thënë policisë se në grabitje morën pjesë 5 persona, ndërkohë që policia ishte në dijeni vetëm për 3.

Nga përgjimet e disa bisedave telefonike ka rezultuar se shqiptari ka pasur kontakt me dy prej të pandehurve, që dyshohet se ishin prezent në vendin e krimit.

Në dëshminë dhënë për policinë, shqiptari ka pranuar i dinte qëllimet dhe planet për atë çfarë do të ndodhte në banesën e 88-vjeçares. Ai tha se e kishin propozuar të merrte pjesë në grabitje, por e kishte refuzuar.

Grabitja ndodhi në mbrëmjen e 9 shkurtit, kur personat hynë në banesën e të moshuarës dhe i kërkuan asaj paratë. Grabitësit e dhunuan dhe e lidhën të moshuarën, pasi ajo bënte rezistencë. Madje ata e kërcënuan se do të vrisnin.

Mësohet se autorët kanë qëndruar në banesën e të moshuarës për rreth 1 orë.

Më pas ata janë kthyer në destinacionin e tyre rreth orës 2 të mëngjesit.
Pas largimit të tyre gjyshja arriti që të lirohet dhe të njoftojë familjarët e saj. Ajo u dërgua në spital në gjendje të rëndë shëndetësore dhe disa orë më vonë ndërroi jetë.

Të 5 personat të cilët akuzohen për grabitjen kanë një të shkuar kriminale në fushën e vjedhjeve me dhunë.