Një sasi prej 20 300 paund janë bllokuar nga policia kufitare në Durrës një shtetasi nga Mati, pasi nuk i ka deklaruar ato kur ka hyrë në port.

Kontrolli i imtësishëm i mjetit, erdhi pas bashkëpunimit me Policinë italiane në Bari, pasi dyshohej se brenda saj ishin fshehur vlera monetare.

“Më datën 21.10.2018 është përzgjedhur për kontroll të imtësishëm shtetasi B.D, 40 vjeç lindur në Mat dhe rezident prej 7 vitesh në Londër Angli, i cili kishte mbërritur në Durrës me tragetin e linjës Bari- Durrës.

Nga kontrolli personal në prani të doganës, shtetasit B. D. iu gjetën 5300 paund si dhe gjatë kontrollit të imtësishëm të mjetit, Policia gjeti të fshehura në tavanin e mjetit dhe 3 pako me vlera monetare 15.000 paund britanik”, thuhet në njoftim.

Policia Kufitare ka bërë bllokimin e sasisë prej 20300 paund britanik ndërsa veprimet e mëtejshme po i kryen Drejtoria Vendore e Policisë Durrës për veprat penale “Mosdeklarim të ardhurave në kufi” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale” .