Policia e Shkodrës në orët e mëngjesit tre ditë më parë ka gjetur në fshatin Shtoj i Vjetër në afërsi të shimave të trenit një fouristradë e cila ishte gjuajtur me një breshëri plumbash. Brenda fouristradës forcat e policisë kanë gjetur edhe njolla gjaku.

Ajo që dyshohet momentalisht është se një person që ka qenë brenda makinës është plagosur. Deri më tani ende nuk ka asnjë lloj informacioni se ku ndodhet ai shtetas dhe se kush është plagosur.

Megjithatë sipas burimeve nga vendngjarja por edhe burime policore ka një dyshim se kemi të bëjmë me një person problematik që dyshohet se ka qenë brenda fouristradës.

Forcat e policisë kanë shoqëruar shumë persona në zonën ku ka ndodhur ngjarja ndërsa po ashtu janë marrë në pyetje shumë të tjerë.

Një orej të dyshuarve kryesor por jo i vetm sipas burimeve nga vendngjarja dhe policisë është edhe shtetasi Artan Koçeku.

Ky i fundit është person i shpallur në kërkim që në dhjetorin e 2017-ës si autor i dyshuar për vrasjen e shtetasit Angjelin Shkambi, ngjarje e ndodhur tek varrezat e Stom Golemit.

Kjo vrasje dyshohet nga policia se erdhi pas një borxhi mes viktimës dhe autorit për pazare droge. Fouristrada e cila është qëlluar me breshëri plumbash natën e 14 tetorit të këtij viti rezulton se ka targa të vjedhura dhe të mbivendosura.

Në spitalin rajonal të Shkodrës sipas burimeve që nga nata e 14 tetorit nuk ka shkuar asnjë person i plagosur me armë. Vendi ku ka ndodhur ngjarja është një rrugë dytësore që nuk ka qarkullim të shpeshtë dhe larg vëmendjes së njerëzve, detaje këto që e vështirësojnë punën e efektivëve.

Deri më tani kjo ngjarje nuk është bërë e ditur nga policia e Shkodrës në njoftimet e saj ashtu si në të gjitha rastet e tjera. Policia po heton për të zbardhur të plotë këtë ngjarje mbi autorët dhe për të gjetur nëse personi i plagosur ka qenë i dyshuari Artan Koçeku apo ndonjë tjetër.