AVOKATËT E DEPUTETIT, SHPREHEN SE NUK KA ASNJË ARSYE PËR ARRESTIN. Gjykata e Lartë ka shtyrë seancën për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj deputetit Tom Doshi. Shkak i shtyres ka qënë mungesa e dy anëtarëve të Kolegjit Penal, Artan Zeneli dhe Guxim Zeneli.

Ndërkohë seanca e radhës në Gjykatën e Lartë më 28 Prill. Avokatët e Tom Doshit kanë depozituar në Gjykatën e Lartë kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë për deputetin e Shkodrës, i cili ndodhet në ‘arrest shtëpie’ nën akuzat e “kanosjes për deklarime e dëshmi, ekspertim, ose përkthim të rremë”, “kallëzimit të rremë” dhe “deklaratave të rreme përpara prokurorit. Ditë më parë dy avokatët thanë se në laptopin e deputetit Tom Doshi, i sekuestruar nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për llogari të hetimit ndaj tij, nuk ekziston një video ku ai kërcënon me armë Durim Bamin. Mungesa e kësaj videoje në radhën e provave të zotëruara nga Prokuroria u përmend më herët edhe në vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 28 mars, që caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për deputetin.