Është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare regjisori i mirënjohur shqiptar, Fehmi Hoshafi. Lajmin e hidhur e ka dhënë Qendra Kombëtare e Kinematografisë, duke shprehur edhe ngushëllimet për familjen e regjisorit të ndjerë.

Hoshafi ka qenë regjisori i disa prej filmave më të bukur të kinematografisë shqiptare, si ‘Kapedani’, ‘Shoku ynë Tili’, ‘Zëvëndësi i grave’, etj.

Fehmi Hoshafi lindi në Tiranë më 28 Shtator 1934. Filloi të punojë në kinematografi si asistent i regjisorëve veteranë Hakani dhe Kristaq Dhamo, në filmat e tyre Toka jonë, (1964) ; Vitet e para, (1965); Oshëtimë në bregdet, (1967); Gjurma, (1970). Në vitin 1968 realizoi vetë spektaklin “Estrada në Ekran”, i cili u xhirua nga Kinostudio në formën e një filmi artistik.

Prej suksesit që pati ky film, i’u besua më vonë, në vitin 1972, regjia për kinokomedinë aq të dashur Kapedani, të cilin e realizoi së bashku me regjisorin Muharrem Fejzo. Ky film shënon lindjen e kinokomedisë në kinematografinë shqiptare e që u pasua më vonë me kinokomedi të tjera po aq të dashura nga regjisori Hoshafi: Ëndërr për një karrige, (1984) dhe Zëvendësi i grave, (1987).

Në periudhën 1976 – 1990 realizon edhe filma të tjerë artistikë dhe dokumentarë, ndër të cilët, filmi “Shoku ynë Tili”, i cili nderohet me çmim në Festivalin Ndërkombëtar për Fëmijë e të Rinj, Giffoni, në Salerno, Itali. Redaksia e rtsh.al shpreh ngushëllime për këtë humbje të madhe për familjen dhe artin kinematografik shqiptar.

foto galeri

foto galeri

Artikulli paraprakLOS ANGELES, AVIONI NË ULJE EMERGJENTE DERDH KARBURANTIN MBI SHKOLLAT AFËR AEROPORTIT (VIDEO)
Artikulli tjetër‘TË VENDOSEN EKUILIBRAT’, NISHANI: DUHET GARANCI PËR TË RIKTHYER DIALOGUN POLITIK NË INSTITUCIONE