Vitin shkollor 2019-2020 do ta ndjekin rregullisht një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve të cilët deri para një viti nuk kishin mundësi të ndiqnin procesin mësimor në qarkun e Shkodrës.Misionarët e pajtimit të gjaqeve në Shkodër japin të dhëna se vetëm 2 fëmijë të shkollës “Mehmet Shependi” në Shalë të Dukagjinit nuk do të shkojnë në shkollë për këtë vit.

Kreu i shoqatës së pajtimit të gjaqeve Nikollë Shullani thotë se është bërë një punë e mirë në këtë drejtim dhe se numri i fëmijëve të cilët nuk shkojnë në shkollë për shkak të frikës së gjakmarrjes është reduktuar ndjeshëm , për të mos thënë është drejt eleminimit

Shullani deklaron se shumë familje kanë abuzuar me këtë fenomen duke I mbajtur qëllimisht fëmijët e ngujuar për të përfituar ndihma të ndryshme.

Nga ana tjetër kreu i pajtimit të gjaqeve shprehet se edhe numri i familjeve të ngujuara ka pësuar rënie krahasuar me një vit më parë.

Sipas Shullanit shoqëria civile edhe shteti duhet të jetë rregullatori më I rëndësishëm për të arritur që të frenojë këtë fenomen.

Sipas misionarëve të pajtimit në asnjë faqe të Kanunit nuk gjendet e shkruar që të vriten gra e fëmijë.