Në të gjithë botën, vendet kanë filluar të dalin nga bllokimi i COVID-19. Megjithëse masat izoluese kanë shpëtuar mijëra jetë, ato kanë rezultuar në një krizë ekonomike që pritet të jetë ndryshe nga gjithçka që ka parë bota më parë. Gita Gopinath e FMN-së shpjegon ndikimin e Bllokimit të Madh.

Bllokimi i Madh pritet të zhvillohet në tre faza, së pari pasi vendet hyjnë në bllokim, më pas kur dalin, dhe më në fund, pasi shpëtojnë nga bllokimi, kur gjendet një zgjidhje mjekësore për pandeminë, shkruan Forumi Ekonomik Global.

Së pari, kjo krizë ka shkaktuar një goditje të madhe në sektorin e shërbimeve. Në krizat e zakonshme, barra mbartet nga sektori i prodhimit, duke reflektuar një rënie të investimeve, ndërsa efekti në shërbime është përgjithësisht i heshtur, pasi kërkesa për konsum ndikohet më pak. Kësaj radhe është ndryshe.

Në muajt e pikut të izolimit, tkurrja në sektorin e shërbimeve ka qenë edhe më e madhe sesa në prodhim, dhe ajo shihet në ekonomitë e përparuara dhe ato në zhvillim. Ekzistojnë përjashtime – si Suedia dhe Tajvani, që ndoqën një qasje të ndryshme për krizën shëndetësore, duke kufizuar masat e kontrollit të qeverisë dhe si pasojë shërbimet pësuan një goditje më të lehtë në krahasim me prodhimin.

Së dyti, pavarësisht tronditjeve të mëdha në furnizim që janë unike për këtë krizë, përveç inflacionit ushqimor, deri tani kemi parë një rënie të inflacionit dhe pritjeve të inflacionit në përgjithësi, si në ekonomitë e përparuara dhe ato në zhvillim.

Pavarësisht mbështetjes së konsiderueshme monetare dhe fiskale, konvencionale dhe jo konvencionale në të gjithë globin, kërkesa agregate mbetet e ndrydhur dhe po rëndon inflacionin, krahas çmimeve të ulëta të mallrave. Me papunësinë e lartë që parashikohet të vazhdojë për njëfarë kohe, vendet me besueshmëri të lartë në politikën monetare ka të ngjarë të kenë rreziqe të vogla në inflacion.

Së treti, shohim një divergjencë të habitshme të tregjeve financiare nga ekonomia reale, me tregues financiarë që tregojnë perspektiva të forta të një rimëkëmbjeje, ndryshe nga çfarë sugjeron aktiviteti real.

Një sfidë kryesore për të shpëtuar nga Bllokimi i Madh, do të jetë sigurimi i prodhimit të mjaftueshëm dhe shpërndarjes së duhur të vaksinave dhe trajtimeve kur të bëhen të disponueshme – dhe kjo do të kërkojë një përpjekje globale. Për vende të veçanta, minimizimi i pasigurisë shëndetësore duke përdorur mënyra më pak shkatërruese ekonomikisht si testimi, gjurmimi dhe izolimi, të përshtatura sipas rrethanave specifike të vendit dhe me një komunikim të qartë për rrugën e politikave, duhet të mbetet një përparësi në forcimin e besimit në rimëkëmbjen ekonomike.

Teksa rimëkëmbja përparon, politikat duhet të kujdesen për rialokimin e punëtorëve nga sektorët në tkurrje, në sektorë me perspektivë më të fortë.