Kanë qenë rreth 500 forca policore që organizuan operacionin për kapjen e 24-vjeçarit Ritvan Zykaj, i cili vrau 8 kushërinj të tij në fshatin Resulaj të Selenicës në Vlorë.

 

Burime nga grupi hetimor kanë thënë për tvklan.al se puna u organizua në dy grupe. Operacioni është drejtuar në terren nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

 

Grupi i parë kishte shtrirë rrethimin jashtë rrezes ku kishte ndodhur ngjarja, për të parandaluar një arratisje të mundshme të autorit. Ndërsa grupi i dytë po kërkonte në perimetrin përreth vendit ku ndodhi ngjarja. Efektivë të Policisë së Vlorës, RENEA, FNSH e Delta Force po kërkonin me qen dhe dylbi termike për kapjen e të riut që shkaktoi kasaphanën.

 

Pas disa orësh kërkime nga dy grupet e policisë, rrezja u ngushtua deri sa 24-vjeçari Ritvan Zykaj u pikas nga uniformat blu përmes dylbive. Ka qenë ora 05:00 e mëngjesit, thonë burimet, kur 24-vjeçari u gjet i fshehur në disa shkurre në periferi të Selenicës. I riu ishte i armatosur me kallashnikov, me të cilin kishte vrarë 8 kushërinjtë e tij, mes të cilëve dy fëmijë.

 

Në këtë moment, policia e ka mbajtur të rrethuar për disa minuta sepse i druhej faktit mos ndoshta autori hapte zjarr edhe ndaj efektivëve. Megjithatë, urdhri ishte i prerë: Zjarr nëse 24-vjeçari qëllonte me armë! Sipas të njëjtave burime, policia i bëri thirrje Ritvan Zykajt që të dorëzohej. I riu hodhi armën dhe nuk bëri rezistencë. Kallashnikovi dhe celulari që kishte me vete u sekuestruan.

 

Deri në orën 23:00 të së premtes, vrasësi komentonte në rrjetin e tij social në Facebook. Edhe pse në kërkim policor, ai u kundërpërgjigjej komentuesve, duke i ofenduar. Pas kësaj ore, 24-vjeçari mbylli rrjetin social. Të njëjtat burime nga grupi i arrestimit i thanë tvklan.al se i riu nuk ishte i dehur në momentin e arrestimit dhe as nuk shfaqi shenja pendese për krimin që kishte bërë.

 

Ritvan Zykaj tashmë ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Vlorës duke u marrë në pyetje. Ai akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese ndaj dy apo më shumë personave. Në pyetje janë marrë edhe prindërit e tij.

 

Sipas disa raporteve, thuhet se Zykaj është person me probleme mendore, ndërsa të tjerë pohojnë se është përdorues droge. Asnjë prej këtyre dy të dhënave nuk është e konfirmuar zyrtarisht. Policia është ende e paqartë për shkakun e këtij krimit të rëndë, megjithatë kjo pritet të saktësohet orët në vijim.

 

Ritvan Zykaj qëlloi me breshëri ndaj kushërinjve të tij të parë, mes të cilëve edhe dy fëmijë. 24-vjeçari zbrazi plot dy karikatorë mbi vëllain e gjyshit të tij, Demir Zykaj dhe gruan e 75-vjeçarit, Perije Zykaj. Viktima mbetën edhe dy djemtë e Demirit, Azem dhe Besim me nuset Afërdita dhe Vasilika, si dhe fëmijët e Besimit Sara Zykaj 16 vjeç dhe Ledion Zykaj 8 vjeç.

Artikulli paraprakZYKAJ, AGRESIV DHE I VETËM. DEBAT PËR KUSHËRINJTË NË RRJETET SOCIALE
Artikulli tjetërPAS ARRESTIMIT, FLET AUTORI I MASAKRËS NË SELENICË