Simpatizant i ISIS, nën mbikëqyrje speciale 35-vjeçari shqiptar

Departamenti i Antiterrorizmit i Policisë Italiane ka vendosur masën e mbikqyrjes speciale për rrezik terrorizmi ndaj një shtetasi shqiptar rezident në Bari. Në celularin e tij janë gjetur imazhe e video të aksioneve terroriste të ISIS shoqëruar me komentet e tij se “terrorizëm i vërtetë janë qeveritë perëndimore”. Gjithashtu, në kompjuter i janë gjetur fotografi të tij me armë në duar apo postime në rrjete sociale pro atentateve terroriste në Paris, si dhe një video të intervistës së fondamentalistit anglez Anjem Choudary në të cilën kërcënon Italinë duke proklamuar se luftëtarët e ISIS shumë shpejt do të mbërrijnë në Romë. Kreu i sektorit të parandalimit në Gjykatën e Barit, Franceska La Malfa, duke konsideruar rrezikshmërinë e shtetasit shqiptar ka marrë vendimin e vendosjes së masës së mbikëqyrjes speciale ndaj tij për dy vjet rresht, duke i tërhequr pasaportën si dhe të gjitha dokumentet e tjera të identifikimit, si dhe moslejimin e largimit nga komuna e tij e rezidencës, në provincën e Barit. Shtetasi shqiptar mësohet se është i moshës 35-vjeçare, punëtor i thjeshtë. Pak kohë më parë, ai kishte marrë dhe nënshtetësinë italiane.

Artikulli paraprakSHTYHET PËR MË 2 MARS VENDIMI PËR RAMUSH HARADINAJN
Artikulli tjetërSHKODËR, DEL NGA SHINAT TRENI I MALLRAVE, NUK KA TË LËNDUAR