Situata në dy spitalet COVID në vend paraqitet serioze, me shtim të rasteve për pacientë që kanë nevojë për trajtim.

Kështu ka deklaruar Ministria e Shëndetësisë, gjatë përditësimit të 24 orëve të fundit, ku tha se kanë humbur jetën 4 pacientë dhe kanë rezultuar pozitivë 130 persona.

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se aktualisht në Spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 116 pacientë të konfirmuar pozitivë, ku 23 pacientë janë në terapi intensive, 7 prej të cilëve pacientë të intubuar.

Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se në 24 orët e fundit janë regjistruar 130 raste të reja, duke e çuar numrin e infeksioneve që nga fillimi i epidemisë në 5750, ndërsa raste aktive janë 2520.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 23 persona, duke e çuar numrin e personave që kanë fituar betejën me COVID-19 në 3054. Fatkeqësisht, 176 persona kanë humbur jetën si pasojë e virusit.