Policia e Lezhës ka arrestuar një tjetër person të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Ranishtja 4”, ku u zbulua skandali me pronat në plazhin ‘Rana e Hedhun’, për të cilin u akuzua si i përfshirë edhe kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj.

Frrokaj u arrestua bashkë me 11 zyrtarë të tjerë të bashkisë dhe Hipotekës, ndërsa më pas u la në ‘arrest shtëpie’ me 9 zyrtarë të tjerë për mungesë provash dhe mbetën në burg vetëm noteri i Hipotekës dhe juristi i bashkisë.

Sot policia njofton se ka vënë në pranga shtetasin Nikoll Tinaj, 58 vjeç, banues në Ishull Shëngjin-Lezhë, ndërsa vijojnë të jenë në kërkim edhe 11 të tjerë.

Ndaj këtij shtetasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë me Vendim Nr.104 datë 26.03.2018, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Zyrtarët lokal të hetuar nga Prokuroria akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tjetërsuar afro 260 mijë m2 në zonën e plazhit, duke e kthyer në pronë private e më pas duke e shitur kundrejt vlerave të konsiderueshme monetare.