PROÇEDIM PENAL NDAJ EFEKTIVËVE DHE MJEKËVE TË SPITALIT. Një ditë pas skandalit të transportimit të kufomës të një aksidenti me kamionçine, policia ka nisur hetimet ndaj dy mjekëve si dhe Drejtorit të Spitalit të Lezhës. 

Strukturat e Krimit Ekonomiko Financiar në Drejtorinë e Policisë në Lezhë kanë nisur procedim penal në gjendje të lirë për Drejtorin e Spitalit Rajonal të Lezhës Nevruz Bare 53-vjeç, si dhe për shtetasit P.L 42-vjeç me detyrë mjek ligjor, pranë spitalit rajonal Lezhë si dhe shtetasit A.B me detyre mjek pranë Spitalit të Lezhës.  Në referimin e policisë thuhet se hetimet ndaj mjekëve kanë nisur, pasi gjatë ditës së shtunë nuk kanë vetëm në dispozicion ambulancën e spitalit për të transportuar një kufomë, megjithëse ishin njoftuar nga salla operative e policisë së Lezhës në lidhje me ngjarjen.  Në këto kushte policia është detyruar që kufomën ta mbështillte me një batanije dhe ta transportonte me një kamionçinë, për në morgun e spitalit thuhet në deklaratën e policisë.  Pamjet shokuese të veprimeve të 4 punonjësve të policisë u bënë publike ditën e djeshme nga mediat, duke vënë në këtë mënyrë në lëvizje institucionet.  Në lidhje me këtë ngjarje janë pezulluar nga detyra edhe tre punonjës të policisë si dhe një specialist hetimi në Komisariatin e Lezhës. Ata akuzohen për shkelje të rëndë të kodit rrugor, duke shpërdoruar detyrën. Kjo situatë e krijuar ka përplasur policinë me spitalin të cilët ja kanë deleguar përgjegjësitë njëra-tjetrës.  Në një reagim të ditës së djeshme Drejtori i Spitalit të Lezhës Nevruz Bare tha se me urdhër të ministrit ndalohet rreptësisht transporti i kufomave me ambulancat që transportohen pacientët e spitalit, ndërsa morgu i Lezhës nuk e disponon një mjet të tillë për transportin e kufomave.  Por pretendimeve të Bares Policia i është përgjigjur me procedim penal me akuzën e “Shpërdorimit të Detyrës”, ndërsa tashmë do të jenë organet e drejtësi të cilët do të zbardhin edhe përgjegjësitë për këtë mosveprimet e institucioneve.

Artikulli paraprakBASHKIA KËRKON HAPJEN E SHKOLLËS NË “MARK LULA”
Artikulli tjetërKETI BAZHDARI, NE PLATFORMËN PËR ARSIMIN