Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në të gjithë Shqipërinë nuk janë pajisur me dëftesa. Edhe pse jemi në mes të muajit korrik, asgjë nuk është bërë për shpërndarjen e tyre.

I njëjti shqetësim është edhe në të gjitha shkollat e qarkut të Shkodrës. Prej ditësh Star Plus ka tentuar të marrë një përgjigje nga drejtori i Drejtorisë Rajonale Shkodër, Kardi Ymeri por drejtori nuk është përgjigjur.

Të njëjtin shqetësim për mos shpërndarjen e dëftesave për të gjithë nxënësit e ka shfaqur edhe kryetari i sindikatës së arsimit në Shkodër, Arian Peraj, i cili përmes një statusi në profilin e tij në facebook e cilëson vonesën një skandal nga Ministria e Arsimit.

“Doni ta dini skandalin e rradhës të Ministrisë sonë të Arsimit ?!
Nesër e hënë, data 09 korrik dhe akoma asnjë nxënës i arsimit parauniversitar në Shqipëri nuk ka në plan të pajiset me deftesën e klasës, pa diskutuar ato të lirimit apo ato të maturës shtetërore !

Dhe në momentin kur dallkaukët e arsimit që ngrefosen në Ministri apo rrugëve të qyteteve do ju bjerë ndërmend se shkolla duhet të ketë dhe deftesë, do nxjerrrin në mënyrë të dhunshme mësuesit në shkolla në ditët e pushimeve të ligjshme.

Në fakt mirë na e bëjnë kur ne mësuesit, të fundmit e përgjegjësisë në piramiden shtetërore, e kemi përgjegjësinë dhe ndergjegjen për shkollën dhe nxënësit, se përndryshe këta dallkaukë duan përgjigje tjetër.”

Akoma nuk ka një përgjigje se kur pritet të shpërndahen dëftesat. Këta të fundit janë të nevojshme sidomos për lëvizjet nga një shkollë në tjetrën.