Një kandidat besnik i presidentit francez është tërhequr nga gara për bashkinë e Parisit pas zbulimit të materialeve të tija intime.

Një nga pretendentët për kryebashkinë e Francës është tërhequr nga gara pas zbulimit të videove dhe mesazheve private me karakter seksual.

Benzhamë Grivo ishte kandiduar si favoriti për bashkinë e Parisit nga presidenti Emanuel Makron, dhe ishte nga bashkëpunëtorët e tij të hershëm.

Të premten, 42-vjeçari tha se prej një viti i është dashur të duronte shpifjet, sulmet anonime dhe kërcënimet familjare si pasojë e materialeve private që kishin rënë në duart e kundërshtarëve.

“Ky është vendim i vështirë për mua, por prioritetet i kam të qarta: e para vjen familja. Nuk dua t’i ekspozoj ata dhe veten më gjatë ndaj kësaj dhune që nuk ka kufij,” deklaroi Grivo.

Vendimi erdhi 48 orë pasi në rrjetet sociale vendëse një artist me origjinë ruse dhe mbështetës i lëvizjes së jelekverdhëve postoi video në momente intime dhe mesazhe të realizuara nga ish-kandidati Grivo.

Artisti provokues Piotër Pavlenski tha se materialet ishin siguruar nga një grua që dikur kishte pasur raporte konsensuale me politikani, dhe qëllimi ishte të denoncohej hipokrizia e Grivosë dhe fushata e tij për vlerat e familjes.

Me largimin e tij nga gara, ish-zëdhënësi i presidentit Makron i rrit shpresat e rivales socialiste dhe kryebashkiakes aktuale, Anë Idalgo, për një mandat në zgjedhjet e marsit.