Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tha gjatë një interviste në emisionin “Opinion” se shifrat e të prekurve COVID gjatë muajit korrik do të vijojnë të jenë në rritje.

Ai u shpreh se infektimet që kemi aktualisht janë pasqyrim i hapjes së qershorit dhe gjatë muajit korrik, nëse lokalet do të jenë plot dhe nuk do të respektohen rregullat shifrat do të jenë në rritje.

“Në këtë periudhë ne jemi me fillimin e hapjes. Kjo javë është në rritje dhe përkon me hapjen e qershorit. Kapacitetet spitalore janë rreth 550 shtretër dhe kemi 256 respiratorë. Unë mendoj se shpejti do hapim COVID2.

Korrikun do ta kemi në ngritje, sepse është maksimumi i dëmit që është bërë. Po kërkohet që njerëzit të ndërgjegjësohen”, tha Brataj, i cili deklaroi se deri në këto momente vdekshmëria në Shqipëri është 2.6%.

Por ajo çfarë Brataj tha se është shqetësuese lidhet me faktin, që 61 përqind e të infektuarve po shfaqin simptoma, ndërsa në fillim të pandemisë, vetëm 30% e personave të prekur shfaqin simptoma.

Shefi i Urgjencës tha se Shkodra është qyteti me përhapjen më të lartë në bazë të numrit të popullsisë dhe këtë e lidhi me mosrespektimin e rregullave.