Parlamenti skocez miratoi të martën vendimin për t’i bërë produktet sanitare falas për të gjitha gratë, ku me këtë vendim do të jetë vendi i parë në botë që e ka bërë një gjë të tillë.

Iniciatorja e këtij vendimi është Monica Lennon, një deputete e Parlamentit Skocez që ka udhëhequr një fushatë disavjeçare për këtë çështje, shkruan npr.org. Ajo propozoi projekt-ligjin për herë të parë në 2017-ën.

“Kjo është një fitore e mahnitshme për të gjithë ata që kanë bërë fushatë dhe që ka bindur qeverinë skoceze të mbështesë këtë projektligj”, tha Lennon për Daily Record pas votimit.

“Skocia tashmë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt përmirësimit të aksesit ndaj produkteve të higjienës dhe zgjidhjes së stigmës, por legjislacioni do të garantojë të drejtat, do të sigurojë që nismat aktuale të vazhdojnë në të ardhmen në një bazë universale, dhe do të na ndihmojnë të arrijmë dinjitetin e periudhës për të gjithë,” shtoi ajo.

Legjislacioni do të krijojë detyrimin ligjor për qeverinë skoceze të sigurojë që produktet e higjienës të jenë falas për të gjitha gratë që kanë nevojë për to. Qeveria skoceze vlerëson koston për zbatimin e legjislacionit në rreth 31 milion dollarë në vit.