Madridi transferohet në Milano. Dy ekipet e kryeqytetit spanjoll, Real dhe Atletico do të përballen me njëri-tjetrin në finalen e Ligës së Kampioneve, ashtu sikurse ndodhi dy sezone më parë në Lisbonë.

Për skuadrën e Diego Pablo Simeones, ky është rasti më i mirë për t’u hakmarrë për disfatën e pësuar në vitin 2014, një situatë të cilën e ka përjetuar më parë edhe Milani me Liverpulin. Është një përballje që këtë vit vjen me disa ndryshime për të dyja skuadrat në krahasim me finalen e Lisbonës. Në portë, Reali nuk do të ketë Casillas, fajtorin e golit të pësuar nga Godin, por Navas. Në krahun tjetër, Courtois i kthyer te Chelsea ia ka lënë vendin polakut Oblak. Në mbrojtje, te Reali dy janë ndryshimet në krahasim me 2014: Carvajal dhe Marcelo janë në formacionin e parë së bashku me Sergio Ramos e Pepe. Përpara dy sezonesh, Ancelotti kishte preferuar Varane e Coentrao në formacionin bazë. Ndërsa te Atletico janë të konfirmuar Juanfran, Felipe Luis e Godin. E reja për këtë vit është prania e Gimenez në vend të Mirandës, të larguar tek Interi. Mesfusha është reparti që sipas Simeones do të vendosë këtë finale. Këtu ka një sërë ndryshimesh. Te Atletico kanë mbetir Koke e Gabi, me të cilët janë bashkuar Saul e Fernandez, ndërkohë që në vitin 2014 në fushë ishte Raul Garcia, i larguar te Athletic Bilbao, ndërsa Tiago e humbi vendin kundrejt Fernandez. Te Reali, nuk është më Di Maria, MVP i finales së Lisbonës. Është larguar edhe Khedira, ndërkohë që ka mbetur Modric së bashku me Casemiro e Kroos. Përsa i përket sulmit, te Reali është e pamundur të ndash të famshmen BBC (Benzema, Bale e Cristiano). Të tre këta futbollistë duken se janë në një gjendje shumë më të mirë fizike dhe psikologjike në krahasim me vitin 2014. Ndërsa te Atletico, Villa e Diego Costa janë larguar dhe në vendin e tyre tashmë janë Griezmann dhe Fernando Torres, dy sulmues që mund të rezultojnë shumë të rrezikshëm.