Ambasadori i BE në Shqipëri Luigi Soreca, deklaron se vendi ynë ka ende shumë punë për të bërë në luftën kundër korrupsionit. Gjatë konferencës të mbajtur për prezantimin e rezultateve të Grecos, Soreca tha se duhen dënime të formës së prerë për zyrtarët e lartë që kapen me shkelje pasi qytetarët kanë nevojë të kuptojnë se askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Këtë e ka theksuar edhe kur prezantoi progres raportin për Shqipërinë.

“Bashkimi Europian e ka mirëpritur raportin e Grecos i cili tregon përparime. Në luftën kundër korrupsionit në raportin vjetor është shprehur se Shqipëria ka një nivel përgatitje për të qenë pjesë e BE, me pak fjalë Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë. Ne kemi parë një sërë dënimesh për zyrtarët të nivelit të ulët dhe të mesëm. Më shumë se 286 magjistratë kanë kaluar vettingun, 62% janë larguar nga detyra.

Procesi i vettingut është kyç në luftën kundër korrupsionit. Situata e korrupsionit vazhdon të jetë i shtrirë gjithandej edhe është shqetësim për BE. Kjo luftë kërkon vendime të formës së prerë për zyrtarë të lartë, pasi këtu kanë qenë shumë të ulët. Duhen këto dënime pasi qytetarët kanë nevojë të besojnë se askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Kemi besim te SPAK-u.

U përmend edhe lufta kundër pastrimit të parave. Kjo është një çështje e lidhur me historinë e Shqipërisë. Është kyçe që rekomandimet të vihen në zbatim sa më parë. Në luftën kundër korrupsionit BE janë ndër partnerët më të mirë të Shqipërisë”, tha Soreca.