6 muaj pas shfaqjes për herë të parë në Kinë të infeksionit Covid, OBSH-ja ka vazhduar të shfaqet tejet e shqetësuar në lidhje me pandeminë.

Pas alarmit të lançuar të premten e kaluar për një rikthim të mundshëm të pandemisë së koronavirusit në muajt e vjeshtës, sot Organizata gjithashtu bëri parashikime negative.

“Më e keqja nuk ka ardhur ende” – tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, teksa theksoi gjithashtu se “Një botë e ndarë e ndihmon koronavirusin të përhapet shpejt.

OBSH-ja gjithashtu ka njoftuar se do të dërgojë në Kinë javën e ardhshme një ekip studiuesish për të hedhur dritë mbi mënyrën se si nisi pandemia 6 muaj më parë, pas disa raportimeve për pacientë të shumtë me pneumoni, si pasojë e një shkaku të panjohur, si dhe për të kuptuar prejardhjen e Covid.

Tedros Adhanom Ghebreyesus theksoi se “Virusi ka ende shumë liri lëvizje. Pyetja që na mundon tani është se si do të bashkëjetojmë me këtë virus në muajt e ardhshëm dhe a do të jetë Covid normalja e re e jetës sonë?”.

Kreu i Organizatës tha se “Përvjetori gjashtëmujor i epidemisë përkon me arritjen e 10 milion rasteve të Covid-19 dhe mbi 500,000 viktimave”.

Ai tha se tani është koha që të gjithë të reflektojmë mbi përparimin që kemi bërë dhe mësimet që kemi nxjerrë.

“Gjashtë muaj më parë, askush nga ne nuk mund ta imagjinonte sesi bota jonë dhe jeta jonë do të trazohej nga ky virus i ri. Pandemia Covid-19 nxori në pah më të mirën dhe më të keqen e njerëzimit. Ne kemi qenë dëshmitarë të rezistencës, solidaritetit dhe mirësisë. Por kemi parë gjithashtu shenja stigme, dezinformimi dhe politizimi të pandemisë “, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus

Gjashtë muaj pas rasteve të para të raportuara në Kinë, shumë shtete kanë rihapur ekonominë, ndërsa shumë kompani biotekike janë duke punuar në gjetjen e vaksinës kundër koronavirusit.