Sot nis viti i ri akademik 2018-2019 për rreth 83 mijë studentë në ciklin e parë (bsc dhe profesionale). Rreth 22 mijë prej studentëve prekin për herë të parë auditoret e universitetit.

Viti i ri akademik nis edhe për 10 mijë pedagogë të brendshëm dhe të jashtëm në universitete. Shkollat e larta, kanë ende kuota të lira por sipas udhëzimit do të plotësohen nga vetë fakultetet me zhvendosjen e vijës së kuqe.

Këtë vit hapen 103 programe të reja studimi, 49 në profesional dhe 54 në bachelor. Ndërkohë që për herë të parë mësuesia është renditur e treta në preferencat e maturantëve pas ekonomikut dhe shkencave sociale pasi rreth 16 % e studentëve janë regjistruar për mësuesi.

Edhe këtë vit 80% e studenteve zgjodhën universitetet publike. Për herë të parë në degët e mësuesisë u aplikua nota mesatare mbi 7.

Ndërsa për maturantët me mesatare të ulet nën 6, universitetet rajonale kanë hapur programe 2 vjeçare.

Degët jane përshtatur me tregun e punës sipas rajoneve te vendit. Edhe këtë vit rreth 10 mije të rinj vendosën të largohen për të ndjekur studimet në universitet jashtë Shqipërisë.