Belgjika dhe Anglia do të përballen sot në orën 16:00 në Shën Petërburg në finalen e vogël të Kupës së Botës që do të përcaktojë skuadrën që do të marrë medaljen e bronzit.

Një ndeshje që do të përcaktojë edhe fituesin e “Këpucës së Artë” ku në garë janë Harry Kane dhe Lukaku me kapitenin e “tre luanëve” që ka shënuar 6 herë dhe dy më pak ka sulmuesin belg.

Të dyja skuadrat duan të kurojnë plagët e humbjeve në gjysëmfinale dhe janë përballur një herë mes tyre në ndeshjet në grupe ku Belgjika fitoi 1-0 me golin e Januzaj.

Tek Belgjika nuk priten ndryshime të mëdha sa i përket formacionit me Courtois në portë dhe mbrojtjen me tre Vertonghen, Kompany e Alderweireld.

Nga krahët do të luajnë Meunier dhe Chadli ndërsa në qëndër të mesit të fushës Witsel dhe Fellaini. Hazard dhe De Bruyne mund të luajnë pas shpinës së Lukakut.

Pavarësisht zhgënjimit për humbjen në gjysëmfinale ndaj Francës “djajtë e kuq” tregojnë krenari dhe trajneri Roberto Martinez ka deklaruar :” Duam ta mbyllim Botërorin me një emocion pozitiv dhe si fituese pasi e meriton çdo tifoz.

Nuk pres ndonjë surprizë ndaj Anglisë pasi tashmë e njohim njëra-tjetrën” e mbyll Martinez .

Tek Anglia po ashtu duan ta mbyllin të tretët dhe në skuadër është rikthyer humori pas humbjes ndaj Kroacisë. Trajneri Southgate do vijojë besnik i skemës 3-5-2 me disa ndryshime në formacion ku titullar pritet të luajnë Cahill, Rose dhe Rashford.

Një provë krenarie i kërkon djemve të tij edhe trajneri Gareth Southgate:” Jemi shumë të motivuar pasi kemi një mundësi për të fituar një medalje në një Kupë Bote diçka që nuk e kemi arritur më parë.

Ishim shumë pranë finales së madhe por lojtarët janë ende të motivuar dhe duan ta mbyllin më së miri Botërorin “ e mbyll tekniku i “tre luanëve”.