Sot në orën 10:00, mbahen homazhet për publicistin Arben Xoxa, i cili u nda dje nga jeta në moshën 67-vjeçare.

Arben Xoxa ndërroi jetë në krahët gruas së tij Valbona dhe vajzës së tij Ajola Xoxa, e cila është bashkëshorte e kryetarit të Bashkisë së Tiranes, Erion Veliaj.

Xoxa, lindi në Tiranë më 1 maj 1952, djali i Dhurata dhe Jakov Xoxa. Studioi gjuhë-letërsi dhe u specializua si kritik arti, gjithmonë me rezultate të shkëlqyera.

Më pas punoi për shumë vite si pedagog në Universitetin e Tiranës, drejtues në Ministrinë e Arsimit, Akademinë e Shkencave, RTSH dhe më pas prej vitit 1996 si Drejtor i Shtëpisë Botuese Enciklopedike, duke i qëndruar pranë dashurisë së tij më të madhe profesionale, librave.

Që në rini e deri vonë ishte i angazhuar në shtypin vendas dhe të huaj, duke botuar qindra shkrime dhe studime, dhe i mirënjohur si një prej personaliteteve të spikatura të mendimit kritik shqiptar.

Gjithmonë patriot, gjatë viteve të fundit u tërhoq nga shtypi dhe iu përkushtua botimit të veprave ndriçuese mbi historinë dhe çështjen shqiptare.