Maxhoranca pritet të votojë sot mbylljen e bixhozit në Shqipëri në gjitha format dhe llojet. Drafti i propozuar nga qeveria, i ndryshuar nga Komisioni i Ekonomisë,

parashikon mbylljen e të gjitha pikave të basteve, kazinove, bingove, garave në pistë dhe çdolloj basti të organizuar.

Drafti ndalon edhe bixhozin online në distancë, ndërsa parashikon kalimin e lojërave të fatit monopol shtetëror.

Ligji për teatrin
Maxhoranca do të shqyrtojë sot në Kuvend edhe dekretin e Presidentit Ilir Meta që ktheu sërish për rishqyrtim ligjin që i hap rrugë ndërtimit të Teatrit të Ri Kombëtar.

Kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Eduard Shalsi tha se dekreti është përfshirë në axhendën e Komisionit që shqyrtimi të bëhet ditën e enjte në orën 09:00 të mëngjesit, një orë para se të fillojë seanca plenare.

Pritet që dekreti të rrëzohet dhe për rrjedhojë ligji hyn në fuqi menjëherë, pasi e drejta e Presidentit për ta kthyer ligjin është vetëm njëherë. Nuk dihet ende nëse opozita do marrë pjesë sot në seancë kur të shqyrtohet dekreti i kreut të shtetit.

Në 11 tetor, Kreu i shtetit, Ilir Meta ka refuzuar sërish miratimin e ligjit të maxhorancës, që i hap rrugën shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

Në dekretin e ri të Presidentit evidentohen në total 9 shkelje ligjore, të cilat sipas Metës nuk janë reflektuar në draftin e miratuar nga Parlamenti.

Pretendimi i Presidentit
Në argumentimin e tij ligjor, Presidenti thekson se Kuvendi është përpjekur ti japë zgjidhje shkeljeve të konstatuara në dekretin e parë, por ende në ligjin i ri ka të njëjtat të problematika.

“Kuvendi megjithëse është përpjekur që të plotësojë vetëm 1 (një) prej konstatimeve kushtetuese të Presidentit të Republikës dhe që kishte të bënte me trajtimin preferencial dhe jo të barabartë të një subjekti privat,

sërish edhe me ligjin e ri të miratuar, Kuvendi rezulton se nuk ka arritur ta zgjidhë edhe këtë çështje. Ligji i ri nr. 37, dt 20.09.2018, paraqet sërish probleme kushtetuese, pasi edhe pse në pamje të parë ai duket sikur ka zgjidhur problematikën e konstatuar

, në thelb dispozitat e tij përmbajnë kritere diskriminuese që nuk garantojnë konkurencën e lirë, por përkundrazi, sërish konstatohet një trajtim preferencial që kufizon pjesëmarrjen në garë”, thuhet në dekretin e Presidentit.