Sot në orën 17:00 do të mblidhet Kuvendi i Shqipërisë në seancën e posaçme për të votuar ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Fillimisht seanca ishte parashikuar për në orën 18:00, por duke pasur parasysh faktin që në 20:00 nis protesta e 10-të kombëtare e opozitës, shumica e afroi me 60 minuta.

Në krye të komisionit hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit pritet që të jetë kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Komisioni do ketë në përbërje të tij 9 anëtarë, 5 nga PS dhe 4 nga opozita e re. Ndërkohë që pritet për t’u parë si do të veprojë grupi demokrat i drejtuar nga Rudina Hajdari. Ajo kërkoi pak ditë më parë shtyrjen e ngritjes së komisionit deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese për të shmangur pështjellimin e krizës politike, që më shumë e shikon si konflikt personal Rama-Meta.

“Nuk është momenti për hetimin e Metës. Nëse presidenti ka shkelur Kushtetutën mund të vërtetohet në një moment më normal” tha ajo. Ndërkohë që në seancën e së enjtes, deputetët Myslim Murrizi dhe Ralf Gjoni e kushtëzuan votën me reformën zgjedhore. Shumica e bazon nismën për shkarkimin e Metës te vendimi për të zhdekretuar datën e zgjedhjeve të 30 Qershorit, dekret që sipas PS-së është jo Kushtetues. Në fund të të gjitha procedurave parlamentare, edhe nëse kërkesa miratohet në Kuvend me 94 vota, do të jetë Gjykata Kushtetuese që do të thotë fjalën e fundit për kreun e shtetit.

Artikulli paraprakKLOPP REFUZON KONTRATËN E RE, SHQETËSIME NË LIVERPOOL
Artikulli tjetër31 % E FAMILJEVE SHQIPTARE NUK PËRMBUSHIN NEVOJAT BAZË PËR USHQIME