Ditën e sotme partitë opozitare jashtë Kuvendit të udhëhequra nga PD-ja do të mbajnë protestën e tyre të katërt në orën 18:30 të pasdites. Tubimi do të zhvillohet në sheshin para Kryeministrisë, ndërsa nuk dihen skenarët si do të vijojë dhe kur do të përfundojë.

Për këtë protestë opozita prej disa kohësh ka bërë thirrje për simpatizantët e tyre në rrethe që të mblidhen për të rrëzuar Ramën nga qeveria. Sipas pretendimeve të opozitës protesta e sotme do të jetë më e madhja që është organizuar deri më tani. Në lidhje me këtë protestë ka reaguar edhe Ambasada Amerikane në Tiranë ku në një mesazh të publikuar bënte thirrje që çdokush që merr pjesë të distancohet nga dhuna dhe çdo thirrje për dhunë.

Ashtu si në protestat e kaluara prej shkurtit, edhe sot policia ka marrë masat për të shmangur incidentet. Kamera sigurie, dron, agjentë civilë, mbi 1500 efektivë policie, automjete të hedhjes së ujit si dhe garda e republikës do të jenë të angazhuara si plan i masave për të monitoruar dhe ndërhyrë në cdo moment nëse protesta e opozitës do të bëhet e dhunshme.

Shtyllat janë lyer me graso, ndërsa është vendosur mbrojtësja te dera e jashtme e Kryeministrisë, por edhe rrethimi me gardh metalik. Pjesë e masave të policisë është edhe bllokimi i qarkullimit në rrugën ‘Ismail Qemali’, ‘Ibrahim Rugova’ lidhje me bulevardin, ura e Lanës nga ministria e Brendshme deri tek Presidenca aty ku do të ndalohet dhe parkimi i mjeteve.