Sot opozita do të zhvillojë protestën e katërt kombëtare para Kryeministrisë duke kërkuar largimin e Edi Ramës nga pushteti. Presidenti i Republikës, Ilir Meta shprehet se mungesa e dialogut të brendshëm politik cënon procesin e negociatave. Ai thotë se ka folur me kryeministrin për rëndësinë e bashkëpunimit me opozitën.

“Kam komunikuar në vazhdimësi me Kryeministrin apo ish-ministrin e Jashtëm për rëndësinë e bashkëpunimit me opozitën në mënyrë të vazhdueshme dhe për domosdoshmërinë për të demonstruar se procesi i integrimit europian është një përgjegjësi e përbashkët dhe për ta konkretizuar me veprime të përbashkëta që menjëherë pas vendimit të Këshillit në qershorin e kaluar për të rivlerësuar çeljen e negociatave pas një viti.

Më vjen keq të them se mungesa e dialogut të brendshëm politik jo vetëm që cënon seriozisht këtë mundësi por edhe ka sjellë këtë situatë të përgjithshme jo funksionale të drejtësisë, sidomos mungesa e gjykatës Kushtetuese ka qenë një problem i madh dhe vazhdon të mbetet.

Gjithë ky proces me shumë aspekte të tjera kanë bërë për fat të keq të pamundur funksionimin e ligjit në vend por edhe njëkohësisht edhe funksionimin e garancive kushtetuese demokratike për të gjithë, përfshirë edhe qytetarët e thjeshtë dhe interesat e tyre dhe të drejtat e tyre të cilat në letër i garanton më së miri Kushtetuta e Shqipërisë por që në praktikë e shohim që kanë mbetur pa mbrojtje” deklaroi Meta.