Kuvendi i Shqipëri do të mblidhet sot në seancën plenare, ndërsa pritet të miratojë pesë nisma ligjore.

Në axhendën e ditës së sotme janë përfshirë edhe dy çështje të nxehta, konkretisht projektligji për profesionin e avokatit si dhe projekti për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar.

Të dyja nismat janë kundërshtuar fort nga opozita shqiptare, çka pritet që mazhoranca të përballet sot me një rezistencë të fortë brenda dhe jashtë parlamentit.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë përgatitur për rezistencë të fortë, brenda dhe jashtë Parlamentit, për t’i pamundësuar shumicës miratimin e dy nismave.

Debati për projektligjin për profesionin e avokatit konsiston nëse duhen lejua apo jo prokurorët dhe gjyqtarët e shkarkuar nga veprimi i ligjit të Vetingut për të ushtruar profesionin e avokatit.

Fillimisht, deputetët socialistë në Komisionin e Ligjeve deklaruar se gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nuk mund të lejoheshin të riktheheshin në gjykata si avokatë.

Por, më pas deputetët befas ndryshuan mendje. Partia Demokratike dhe LSI janë shprehur kundër.

Në raportin për këtë projektligj, Komisioni i Ligjeve sqaron se ‘komisioni lidhur me këtë çështje, vendosi që formulimi të jetë sipas draftit integral të rakorduar ndërmjet relatorit dhe propozuesit,

sipas të cilit kandidatët për avokat nuk duhet të jenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për një vepër penale sipas rasteve të përcaktuara nga pikat “i” deri “iii” të germës “dh” të nenit 13”.

Konferenca e Kryetarëve

Konferenca e Kryetarëve, në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi miratoi dje draft-programin e punimeve të Kuvendit për periudhën 9 korrik e deri në mbyllje të sesionit parlamentar dhe draft-kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit, për periudhën 9 korrik-23 korrik 2018.

Dy nga projektligjet më të rëndësishëm dhe të shumëdebatuar në kalendarin trejavor të Kuvendit janë disa ndryshime në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve si dhe disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit.

Ndryshimet në ligjin për statusin e magjistratëve parashikojnë t’i hapin rrugën Shkollës së Magjistraturës për të pranuar rreth 80 kandidatë për prokurorë dhe gjyqtarë.

Ndërkaq, ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit parashikojnë të reflektimin e një rregulli të ri për arrestimin e deputetëve.

Axhenda e seancës plenare

1. Raporti vjetor i veprimtarisë së Këshillit Drejtues të RTSH për vitin 2017.

2. Raporti vjetor i veprimtarisë së Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2017.

3. Projektligji “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të teatrit kombëtar”.

4. Projektligji “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”.

5. Projektligji “Për ratifikimin e korrigjimit të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për huan e politikës së zhvillimit të sektorit financiar”.

Artikulli paraprakKAPEN DY 71-VJEÇARË ME MOTORË ‘HONDA’ TË VJEDHUR
Artikulli tjetërSËRISH TËRMETE GJATË NATËS NË TIRANË DHE DURRËS, MË I FORTI 4.1 BALLË