Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it sot në rend dite ka votimin për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare të bashkëpunimit policor.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka konfirmuar se votimi për anëtarësim të Kosovës në Interpol do të mbahet të martën.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se lufta kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmit është synim i Kosovës.

“Fillim i mbarë. U konfirmua agjenda e samitit të Interpolit dhe pika ku Kosova aplikon për të qenë anëtare. Lufta kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmit është synimi ynë. Votimi do të ndodhë të martën”, kishte shkruar ai në Facebook.

Mbledhja e përvitshme e Interpol-it e cila po mbahet në Dubai, do të vazhdojë deri të mërkurën, kur shtetet anëtare do të votojnë për presidentin e ri me mandat njëvjeçar.

Kosova pret të marrë mbështetjen e dy të tretave të vendeve që po marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, që të behet shtet anëtar i kësaj organizate të policisë ndërkombëtare.

Aktualisht, INTERPOL-i numëron 192 shtete. Në rendin e ditës është pranimi edhe i Kosovës, Kiribatit dhe Ishujve Vanuatu. Pranimi i tyre do ta shtonte numrin në 195 vende anëtare.

Artikulli paraprakBASHA KUJTON SOKOL OLLDASHIN: SHEMBULL PËRJETËSISHT FRYMËZUES
Artikulli tjetërÇIKAGO, TË SHTËNA ME ARMË NË NJË SPITAL