Kryetari i grupit të Partisë Demokratike Edmond Spaho deklaroi se protestuesve që u arrestuan për tubimin e 16 shkurtit po u bëhet gjyq politik.

Ai akuzoi se njëri prej tyre, ish-drejtori i policisë bashkiake të Tiranës në kohën e Bashës, Florenc Hoxha është tërhequr zvarrë në momentin që është arrestuar në prani të fëmijëve.

“Ishte një proces politik që më kujtoi gjyqet e diktaturës, të gjithë të pandehurit deklaruan se protestuan kundër qeverisë së Ramës në emër të familjeve dhe fëmijëve të tyre për një të ardhme më të mirë.

Për fat të keq të gjitha veprimet e policisë dhe prokurorisë motivoheshin politikisht për të dekurajuar qytetarët. Asnjë fakt dhe asnjë provë për gjoja prishje të pronës publike në një kohë që aty është prishur vetëm Kërpudha. Në asnjë rast nuk pati konfrontim.

I dënoj me forcë këto veprime, të turpshme ishin veprimet ndaj Florenc Hoxhës, ku për të njëjtat akuza FNSH me maska e tërhoqën zvarrë dhe ushtruan dhunë ndaj tij në prezencë të dy fëmijëve të vegjël.

Të pandehurit kërkuan që të marrin pjesë në protestën e së enjtes për të rrëzuar Ramën”, përfundoi Spaho.