Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kërkuar kryebashkiakut të Bulqizës Lefyer Alla që t’i nënshtrohet testit të drogës pas publikimit të videos, ku PD-ja pretendon se është ai që merr kokainë.

Për të kryer këtë procedurë, Alla duhet të paraqitet e Institutin e Mjekësisë Ligjore, për t’i marrë kampion gjaku dhe urine, me qëllim kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor, që do të vërtetojë nëse Alla është konsumues droge ose jo. Kjo ekspertizë do të jetë baza e kësaj çështje penale dhe që mund të shtyjë prokurorët të ngrenë akuzë për kryebashkiakun e Bulqizës Lefter Alla.

Gjithashtu, vetëm 24 orë pas çeljes së këtij hetimi, prokurorët e çështjes kanë kërkuar ekspertimin grafik të videos tashmë të sekuestruar. Ekspertimi do kryhet nga ekspertët e laboratorit të policisë shkencore në Ministrinë e Brendshme. Nëpërmjet kësaj ekspertize prokuroria synon të provojë qartësisht dhe me anën e një ekspertize nëse personi që shfaqet me shpinë në video, është ose jo Lefter Alla.

Kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla mbrëmë dëshmoi në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) pas akuzave të Partisë Demokratike se shfaqet në një video duke pirë kokainë. Jashtë dyerve të SPAK, ku qëndroi për rreth një orë Alla refuzoi të jepte një deklaratë duke shprehur se tashmë kjo çështje i takon drejtësisë, “E ka në dorë drejtësia”.

Në një postim në rrjetet sociale, Alla deklaroi se “Dua të sqaroj se ekzistenca e një video-montazhi më është bërë me dije prej rreth një viti, por gjithmonë kam besuar dhe besoj se duhet të jetë drejtësia ajo që ta hetojë dhe ta zbardhë”. “Kushdo që më akuzon mua të presë veprimet e Prokurorisë dhe vendimin përkatës të Gjykatës”- thotë Alla. Partia Socialiste është distancuar nga Alla duke e cilësuar si përgjegjësi personale nga kryebashkiaku.

Artikulli paraprakINFO PLUS – 24.01.2020
Artikulli tjetërALLA DUKE MARRË KOKAINË? FELAJ: E PAPRANUESHME, NËSE VËRTETOHET DUHET TË LARGOHET NGA DETYRA