Drejtori rajonal i spitalit të Shkodrës Vilson Masmalaj është drejt largimit nga ky post. Masmalaj pritet që të marrë një tjetër pozicion në një prej drejtorive rajonale në Shkodër.

Ende nuk është zyrtar ky largim i Masmalaj por sipas burimeve pranë tij bëjnë me dije se tashmë ka mbetur vetëm çështje ditësh. Prej kohësh pritej largimi i tij nga posti i drejtorit të spitalit ndërsa mund të shoqërohet me ndryshime edhe në drejtori të tjera rajonale të Shkodrës.

Masmalaj fillimisht nuk ka pranuar që të lërë detyrën që e mban ende por gjithçka ka ndryshuar pas një takimi të tij me ministren e shëndetësisë Ogerta Manastirliu në Tiranë.

Ministrja i ka kërkuar që të largohet por Masmalaj fillimisht ka refuzuar dorëheqjen për shkak se ai është shpallur fitues në konkursin e zhvilluar nga vetë kjo ministri.

Pas kësaj bisede burimet tregojnë se në spitalin e Shkodrës ditët e fundit ka mbërritur një kontroll nga ministria e shëndetësisë. Ende nuk janë bërë zyrtare rezultatet e këtij kontrolli të pritshëm.

Duke parë situatën e krijuar sipas burimeve pranë tij drejtori Masmalaj mund të pranojë që të largohet por duke marrë një tjetër post në një prej drejtorive. Vilson Masmalaj ishte kandidat për deputet i PS në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës por nuk arriti të bëhej pjesë e Kuvendit.

Pas zgjedhjeve Masmalaj kandidoi për drejtor të spitalit rajonal të Shkodrës në një konkurs të stërzgjatur edhe nga vetë ministria. Mes atyre që konkuruan mori më shumë pikë.

Rezultati zyrtar u shpall nga ministria në fund të nëntorit të 2017-ës duke bërë që Masmalaj të qëndrojë si drejtor në spitalin e Shkodrës prej afro 7 muajsh.

Largimi i tij nga ky post ende nuk është zyrtar por pritet brenda pak ditëve.

Në vend të tij deri në shtator mund të emërohet zëvendës drejtorja, njëkohësh mjeke e spitalit, Teuta Rrjolli. Vjeshta mund të sjellë drejtorin e ri.

 

Artikulli paraprakKALAJA E ROZAFËS ME MURE “TË REJA“
Artikulli tjetërNIS HETIMI PËR NDOTJEN NË KUNE-VAIN