Agjencia e vlerësimit ‘Standard and Poor’s’ ka publikuar raportin për ekonominë shqiptare duke konfirmuar vlerësimin B+ dhe trendin pozitiv.

S&P konfirmon rritjen ekonomike mesatare prej 4% edhe në vitet e ardhshme, ndërsa thekson se në aspektin fiskal Shqipëria ka performuar më mirë se vendet fqinje të së njëjtës kategori.

Njëlloj si FMN edhe S&P vlerëson se Shqipëria do të vazhdojë të tërheqë investime të huaja direkte. Pas publikimit të raportit, ka reaguar ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, aktualisht kryetar i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Ndër të tjera, Ahmetaj thekson se në raport vlerësohet vazhdimi i konsolidimit fiskal, ulja e mëtejshme e borxhit publik dhe deficitit, përmirësimi i klimës së biznesit dhe investimeve të huaja.

REAGIM I PLOTË I ARBEN AHMETAJT
Raporti i Standard and Poor’s, pas FMN, nje tjetër notë pozitive për ekonominë shqiptare!

• Rritja ekonomike konfirmohet në 4.2% për vitin 2018;

• Vlerësohet vazhdimi i konsolidimit fiskal, ulja e mëtejshme e borxhit publik dhe deficitit;

• Përmirësimi i klimës së biznesit dhe investimeve të huaja, që do të mbeten solide edhe përgjatë viteve në vijim.

Agjensia globale e vlerësimit të riskut të kreditit S&P ka publikuar raportin e saj më të fundit për Shqipërinë në të cilin konfirmohet vlerësimi B+ dhe perspektiva e qendrueshme për periudhën në vijim.

S&P vlerëson me nota tejet pozitive performancën fiskale të ekonomisë dhe thekson se Shqipëria në aspektin fiskal performon më mirë se vendet fqinje në rajon me renditjen B+,

si rezultat i rritjes ekonomike të shëndetshme dhe angazhimit të qeverisë për uljen e vazhdueshme të borxhit publik, në zbatim të Ligjit Organik të Buxhetit. Borxhi publik do të vijojë trajektoren ulëse, drejt nivelit 60% në 2022.

S&P vlerëson se rritja ekonomike në periudhën në vijim do të mbështetet tek rritja e konsumit dhe punësimit.

Perspektiva pozitive në afatmesëm dhe afatgjatë, reflekton:

• Zgjerimin e ekonomisë shqiptare me mesatarisht 4% përgjatë viteve në vijim, e mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe eksportet, kryesisht ato të shërbimeve;

• Uljen e mëtejshme të deficitit fiskal;

• Uljen graduale të deficitit të llogarisë korrente, i cili do të mbulohet kryesisht nga flukset e investimeve të huaja direkte.

• Rritjen e qendrueshme të të ardhurave, mbështetur nga performanca e fortë ekonomike dhe mirëadministrimi

Vazhdimi i reformave, është kusht i rëndësishëm për përmirësimin e klimës së biznesit, ndërsa Shqipëria mund të përfitojë nga projekte investimesh të huaja direkte me bazë të gjere,

në sektorë me vlerë të shtuar, sikurse ka filluar tashmë në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, apo shërbimet e biznesit.

Artikulli paraprakAMBASADA E SHBA: NJOFTIM I RËNDËSISHËM PËR PROGRAMIN E VIZAVE
Artikulli tjetërBËMË BABA TË TË NGJAJ! 19-VJEÇARI “MERR” MAKINËN E LEGJENDËS MICHAEL SCHUMACHER