Stërvitja intensive që ka nisur ekipi i Vllaznisë ditët e fundit është shoqëruar edhe me disa probleme dëmtimesh për futbollistë të ndryshëm të saj. Janë të paktën katër apo pesë futbollistë të kësaj skuadre të cilët prej ditësh ndodhen në “infermieri”.  

Probleme të vogla kanë pasur tre malazezët, Dragojeviç, Cicmil dhe Paviçeviç e po ashtu edhe dy shkodranët, Marku e Bardulla. Ky i fundit, gjatë një përplasje në stërvitje, ka plasur kockën e parakrahut dhe kjo gjë, ndër të tjera, i ka shkaktuar atij edhe temperatura të larta, duke bërë që të kalojë nën kujdesin e mjekëve. Përveç tij, mbrojtësi Marku ka disa ditë që nuk stërvitet me grupin, sepse ka pësuar një tërheqje muskulare. Të njëjtën gjë ka edhe mbrojtësi malazez Cicmil. Të dy këta futbollistë kanë munguar në miqësoren e kaluar ndaj Zetës. Ndërkohë, ditët e fundit, në sallën e fizioterapisë së klubit, janë parë edhe dy malazezët e tjerë, portieri Dragojeviç dhe sulmuesi Paviçeviç, që kanë ndjerë shqetësime të ndryshme dhe, për këtë arsye, stafi teknik i ka udhëzuar t’u drejtohen mjekëve për t’i kaluar sa më parë ato. Në këtë mënyrë, rritja e ngarkesave fizike ka filluar të krijojë edhe problemet e para te kuqeblutë, megjithatë, ato janë normale për një periudhë të tillë. E rëndësishme është që të mos ketë dëmtime serioze, çka do të penalizonte jo vetëm lojtarët, por mbi të gjitha Vllazninë ,sepse ajo e ka tashmë të qartë grupin e lojtarëve me të cilin do të përballojë sezonin e ri futbollistik.

PUBLICITET