Një familje me tre anëtarë nga Zeta e Malit të Zi dhe një djalë nga Podgorica jane mbytur në anën malaleze të liqenit të Shkodrës, për shkak të një stuhie që përmbysi varkën në të cilën ndodheshin në total 9 persona.

Sipas një personi, i cili ka qenë po ashtu brenda varkës, janë mbytur një cift bashkëshortësh, vajza e tyre si dhe një djalë që u përpoq t’i shpëtonte. “Ata mund të ishin shpëtuar, por nëna po përpiqej të shpëtonte fëmijën, prandaj u mbyt dhe ajo.

Dhe babai u mbyt teksa po shpëtonte fëmijën dhe pas tyre ishte djali që erdhi për ndihmë”, është shprehur ai për median malazeze “Vijesti”.

Drejtori i Parkut Kombëtar të Malit të Zi, Nenad Ivanoviq, konfirmoi për të njëjtën media, pa dhënë detaje të mëtejshme, se trupi i një të mbyturi është gjendur.

Pesë persona raportohet se duke notuar, kanë arritur të dalin në breg dhe të shpëtojnë. Varka me nëntë persona në total, mësohet se i ishte drejtuar Manastirit të Vranjës.

Sakaq, departamenti i emergjencave dhe një helikopter ndodhen në vendin e ngjarjes duke punuar për gjetjen e 3 trupave të tjerë.