Shqipëria renditet në vendin e 4 në rang global, për sa i përket numrit të ministreve gra në qeveri.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Gratë (UN Women) ka kryer një studim të grave në politikë për vitin 2019, në 191 vende, ku konfirmohet progresi i qeverisë shqiptare në përfshirjen e grave dhe vajzave në vendimmarrje.

Shqipëria renditet e 4 në Botë, me 8 gra ministre ose 53.3 % e kabinetit qeveritar prej 15 ministrash. Vendi ynë renditet i pari në rajon sa i përket ministrave gra në qeveri.

Spanja është vendi i parë në Botë me 11 ministre, nga 17 anëtarë që ka qeveria spanjolle. Një në 5 ministre është grua sipas hartës globalë të UN Women.

Parlamenti i Shqipërisë i dalë nga zgjedhjet e 25 Qershorit 2017, ka numrin më të madh të grave deputete në 27 vitet e fundit. Gratë përfaqësohen në Kuvend me 41 deputete nga 140 në total, ose 29.3%, duke u renditur e 53 në rang global.

Në legjislaturën 2013-2017, përfaqësimi i grave deputete ishte 23,5%. Ka pasur progres në përfaqësimin e grave në nivele të larta të Administratës Publike, ku rreth 60% e grave janë në nivel Drejtorësh të Përgjithshëm.