Një studim i fundit i Bankës Botërore ka arritur në përfundimin se 23 mijë shqiptarë janë në vështirësi financiare për të përballuar kujdesin kirurgjik.

Sipas këtij studimi kirurgjia mund të jetë shumë e shtrenjtë ose e papërballueshme për 0.8% të tyre si dhe me pasoja të mëdha financiare edhe nëse arrijnë ta kenë atë kurim kirurgjikal.

Për Shqipërinë, shifrat sugjerojnë se kemi të bëjmë me 0.8% të popullsisë që nuk kanë qasje në shërbime kirurgjike për arsye financiare, gjë që mund të rezultojë në pasoja fatale për popullatën. Në Ballkan, panorama duket e ngjashme.

Në Serbi, 0.5% e popullsisë nuk arrijnë të përballojnë një kujdes kirurgjik për shkak të kostove të larta. Po ashtu, 0.8% e popullsisë në Malin e Zi, nuk arrin që të përballojë këtë kujdes shëndetësor.

Shifra më e lartë regjistrohet në Maqedoni, ku Banka Botërore përllogarit rreth 7.9% të popullsisë në vështirësi financiare për të përballuar një ndërhyrje kirurgjike. Në Greqi 0.4% e popullatës përballen me vështirësi ekonomike për të pasur qasje në kujdesin kirurgjik.

Në vitin 2015, Komisioni i Revistës Shkencore për Kirurgjinë Globale propozoi gjashtë tregues për të matur kujdesin, dy nga të cilat përqendrohen në vlerësimin e rrezikut të katastrofës financiare për shkak të operacionit.

Pesë miliardë njerëz, dy të tretat e popullsisë së botës, nuk kanë qasje në kujdesin kirurgjik, anestezi dhe obstetrik të sigurt, në kohë dhe të përballueshëm, nga të dhënat e vëna në dispozicion të Bankës Botërore.

Nga barrierat e shumta për të pasur qasje në shërbime kirurgjike, nga mungesa e fuqisë punëtore të trajnuar mirë dhe deri te sfida më e madhe, ajo financiare,

janë të gjitha variabla që ndikojnë në aksesin e një pacienti ndaj kujdesit shëndetësir, që në shumë raste kudo në botë, thekson studimi, rezulton edhe fatale, duke përfshirë edhe Shqipërinë.