Pa njohuri të gjermanishtes, pa arsimim: Edhe siriani Beniyan Bachar ashtu si shumë refugjatë të tjerë nuk e kishte të lehtë, kur erdhi në Gjermani si i ri refugjat. Sot ai është 23 vjeç dhe përfundoi në verën e vitit të kaluar në Osnabrück shkollimin si parukier. “Jam thjesht shumë i lumtur”, tha ai jatë marrjes së certifikatës si më i miri i kursit. Një histori suksesi e një shembull konkret, se si mund të zhvillohen gjërat – në rastin më të mirë.

“Sipërmarrjet tona janë kryesisht përvojë pozitive me refugjatët që ndjekin shkollimin profesionale”, thotë Holger Schwannecke, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Qendrore të Zanatçinjve Gjermanë (HDZ). “Por kjo nuk do të thotë që një shkollim profesional është gjëja më normale”, shton ai. Në këtë konkluzion arrin edhe Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin, OECD në një studim të fundit, në të cilin hulumtohen pengesat që ndeshin ata që duan të arsimohen në Gjermani.

Pengesa kryesore është mungesa e njohurive të gjuhës, por edhe një mungesë arsimimi e shkaktuar nga gjendja e luftës. Sipas OECD-së, janë shumë të rëndësishme masat shoqëruese profesionale për migrantët. Nga ana tjetër mësimi i gjuhës kushton kohë, po ashtu edhe përfundimi i një shkolle profesionale, duhet të shkruash aplikime, të shkosh nëpër zyra apo të kërkosh një apartament, paralajmëron OECD.

Garë kohe me procedurën e azilit

Kohë, të cilën nuk e kanë shumë refugjatë, sepse ata duan të fitojnë shpejt para apo kanë frikë, se dëbohen nga vendi, sepse nuk kanë punë. Nga ana tjetër në Gjermani varet nga vendi ku banon, se në cilën moshë dhe sa kohë ke të drejtë për kurset e përgatitjes profesionale. Në shtatë lande gjermane, të rinjtë nga mosha 16-18 vjeç kanë të drejtën për përgatitje profesionale, në disa lande të tjerë edhe migrantët nga mosha 21 deri në 25 apo 27 vjeç. Kjo duhet të njësohet, kërkon OECD.

Krahasuar me të rinjtë që janë lindur e rritur në Gjermani, migrantët fillojnë më rrallë një shkollim profesional. Holger Schwannecke nga HDZ, thotë se i vjen keq për këtë, por e kupton pse ndodh. “Për shkak të parave”. 450 euro merr një praktikant në kohën e shkollimit si parukier në vitin e parë, 550 euro në vitin e dytë dhe 700 euro në vitin e tretë. Kjo është shumë më pak, se mund të marrësh në një punë si fuqi punëtore e pakualifikuar.”

Pas shkollimit situata ndryshon. “Vlera e shkollimit profesional në Gjermani nënvlerësohet”, thotë Sch2annecke. Kjo u duhet bërë e qartë të rinjve. Megjithatë pa migrantët, shumë sipërmarrje në Gjermani nuk do t’ia dilnin dot. Në vitet 2015-2018 është dyfishuar numri i nxënësve në shkollat profesionale pa pasaportë gjermane, aktualisht në 18.680 vetë. E megjithatë vitin e kaluar çdo i dhjeti vend profesional mbeti i pazënë.

Numri i lartë i atyre që ndërpresin shkollimin

Por nuk mjafton vetëm që të rinjtë refugjatë të jenë gati për të filluar shkollimin profesional. Parë në numrin e përgjithshëm të nxënësve, është shumë i lartë numri i atyre që ndërpresin shkollimin profesional. Në studimin e OECD-së thuhet, se refugjatët kanë nevojë për më shumë mbështetje gjatë shkollimit profesional.

“Kemi nevojë për shkollimin e asistuar, më shumë komunikim mes shkollave, sipërmarrjeve, zyrave sociale dhe një sistem të hershëm paralajmërimi që të reagohet shpejt, me qëllim që nxënësit të vazhdojnë shkollën”, kërkon sekretari i përgjithshëm i OECD-së, Ludger Schuknecht.

Deficite ka edhe tek punëdhënësit që nuk marrin refugjatët si nxënës. “Aty ka edhe një lloj diskriminimi pa sfond racist apo diçka tjetër, por për shkak të një llogarie që bën punëdhënësi, duke e parë këtë si rrezik më të madh, dhe se të dyja palët nuk arrijnë të kuptohen”, thotë Schuknecht.

Rreziku më i madh është sigurisht gjendja e pasigurisë ligjore. Ka disa kohë që një rregullore i mbron refugjatët që ndodhen në shkollim profesional, nëse kërkesa për azil është refuzuar.

‘Nëse ata e kanë një kontratë për shkollën profesionale, mund ta përfundojnë shkollimin dhe të punojnë dy vjet. Por e ashtuquajtura rregullore “3+2” interpretohet ndryshe nga autoritetet në Gjermani. Sipërmarrjet gjermane presin përmirësimin e situatës më 1 mars 2020. Ato shpresojnë më shumë siguri ligjore.