Tre izraelitë mbetën të plagosur pasi agresorë të armatosur hapën zjarr ndaj policëve pranë një vendi të shenjtë në Jeruzalem.

Policia bëri me dije se tre agresorët u vranë pasi qëlluan agjentët jashtë vendit që për hebrenjtë njihet si Malit tempull dhe për myslimanët me emrin Haram al-Sharif.

Mësohet se dy prej të plagosurve izraelitë janë në gjendje kritike për jetën. Që prej fundit të vitit 2015 ka nisur një valë sulmesh me armë zjarri, armë të ftohta dhe automjete ndaj izraelitëve, sulme të kryera nga palestinezë.

Identiteti i agresorëve të fundit s’është bërë i ditur, por mediat vendase raportojnë se bëhet fjalë sërish për palestinezë. Dëshmitarë okularë thanë se agresorët nxorën armët pa pritur dhe nisën të qëllojnë, por pas pak sekondash u eliminuan fizikisht nga forcat e sigurisë të pranishme në vendngjarje.

Si pasojë e incidentit, policia mbylli kompleksin e rëndësishëm fetar që përmban edhe xhaminë Al Aksa. Kjo masë që nuk lejon zhvillimin e lutjeve të ditës së premte, pritet që të rrisë edhe më shumë tensionin në Jeruzalem.

Artikulli paraprakPREFEKTURA: MERRNI PËRGJEGJËSITË PËR ZJARRET
Artikulli tjetërRAMA: REFORMË TË THELLË NË QEVERI DHE ADMINISTRATË