Prokuroria e Krimeve të Rënda mbyll hetimet ndaj Suel Çelës, duke e akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë ndaj punonjësve të policisë lidhur me incidentin e ndodhur në shtator të vitit 2017 në Elbasan.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se Suel Çela drejtonte makinën Audi që goditi automjetin e ish zv.drejtorit të policisë Elbasan Gjergji Oshafi.

Bëhet fjalë për përplasjen në Tregun Agro-Ushqimor që ndodhi në 18 shtator të 2017-së në Elbasan.

Në atë kohë policia e Elbasanit kishte informacion për një grup të rrezikshëm që po lëvizte në qytet prandaj organizoi kontrolle. Pikërisht para tregut Agro-Ushqimor Policia ndaloi një Range-Rover ku brenda tij ishin Enea Bekteshi e Kelmend Xhaferri.

Uniformat blu të Elbasanit i arrestuan dy të rinjtë për shkak se kundërshtuan punonjësit.

Por në momentin që policët po largoheshin, një Audi i blinduar vjen drejt makinave të uniformave blu dhe në këtë moment përplasen me njëra-tjetrën. Sipas Prokurorisë Policia ishte në aksion dhe Audi ka goditur me qëllim makinën e Gjergji Oshafit.

Në dosje theksohet se Audin e blinduar e drejtonte Suel Çela i cili më pas u fut brenda Tregu Agro-Ushqimor.

Dera e tregu u mbyll dhe Policia nuk mund të hynte dot në brendësi, për shkak se roja nuk e hapi portën. Kur Policia u fut brenda tregut, sipas Prokurorisë, Suel Çela ishte larguar.

Me mbylljen e hetimeve nga Prokuroria, tashmë Gjykata e Krimeve të Rënda do të hetojë Suel Çelën, djalin e biznesmenit Petrit Çela për tentativë vrasje ndaj punonjësve të policisë. E njëjta akuzë rëndon edhe ndaj Enea Bekteshit dhe Kelmend Xhaferrit.

Gjyqtari që do hetojë çështjen është Klodian Kurushi. Enea Bekteshi sot ndodhet në arrest shtëpie, Kelemend Xhaferri në burg, ndërsa Suel Çela është në kërkim pasi Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën “arrest me burg” në mungesë.

Më herët dosja e Suel Çelës ishte çuar disa herë në Prokurorinë e Elbasanit dhe te Krimet e Rënda, derisa prokurorët vendosën të ngrenë akuzat ndaj grupit të Çeljave.

Artikulli paraprakNGA USHTAR I UÇK NË TENOR ME FAMË BOTËRORE
Artikulli tjetërNE ADMINISTRATE MBI 1300 PUNONJËS TË RINJ NË 2019, MES TYRE STUDENTËT EKSELENTË